Rrugëtimi për paqe në botë i ushtarëve të Kosovës nis sot (VIDEO)

Rrugëtimi historik i Republikës së Kosovës drejt kontributit për paqe në botë filloi sot formalisht përmes ceremonisë së organizuar në bazën ushtarake ‘Camp Dodge’ të Gardës Kombëtare të Iowa-së në qytetin Johnston.

Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Konsullata e Kosovës në Des Moines.

“Autoritete ushtarake si dhe civile të nivelit federal si dhe lokal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe shtetit të Iowa-s iu drejtuan ushtarëve që do të shërbejnë në këtë mision”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit, senatorja e ShBA-së, Joni Ernst, e vuri theksin te rëndësia e pjesëmarrjes së ushtarëve tanë në këtë zbarkim dhe e cilësoi si arritje historike e popullit të Kosovës. Gjithashtu edhe gjenerali Corell nga Garda Kombëtare e Iowa-s u shpreh shumë i kënaqur me zhvillimin e këtij projekti.

Në ndërkohë nga ana kosovare prezentë ishin atasheu ushtarak i Republikës së Kosovës në Washington DC, kolonel Ilir Qeriqi dhe shefi i Misionit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Iowa, Artan Duraku.

Kolonel Qeriqi ua ka përcjellë ushtarëve  të Iowa-s mesazhet e komandantit të FSK-së, gjeneral Rrahman Ramës.

“Ushtarët tanë do të shërbejnë së bashku me kolegët e tyre me të cilët paraprakisht janë trajnuar dhe kanë përvetësuar shkathësitë e nevojshme për përmbushjen e misioninit. Republika e Kosovës është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet tutje aty.