Qeveria e Kosovës, Foto: KALLXO.com

Rrugëtimi i kryeministrave të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë

Katër paraardhësit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke e përfshirë edhe atë në Qeverinë Kurti I në rrugëtimin e tyre pas shpalljes së pavarësisë si kryeministra nuk kishin arritur ta përfundojnë mandatin kushtetues prej katër vjetësh. Tashmë në pozitën e kryeministrit është Kurti, mandati i të cilit parashihet të zgjasë deri më 2025

Që nga viti 2008, Kosova ka pasur pesë kryeministra gjithsej.

Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Pothuajse secila prej qeverive në Kosovë, të koalicioneve të ndryshme partiake, kanë hyrë në mocione mosbesimi dhe janë detyruar të dorëhiqen duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.

Pas pavarësisë asnjë nga liderët e Kosovës, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti dhe Albin Kurti nuk e çuan deri në fund mandatin e tyre.

Hashim Thaçi ishte kryeministri që në dy mandate arriti të mbajë më gjatë postin me mbi tre vite e gjysmë.

Ai ishte kryeministri i parë i Kosovës së Pavarur.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.

Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në Kosovë më 12 dhjetor 2011 fitoi PDK-ja në krye me Thaçin dhe përsëri rizgjedhet kryeministër për mandatin 2011-2014.

Pastaj në pushtet erdhi Isa Mustafa.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit 2014, LDK-ja në krye me Mustafën, doli partia e dytë pas PDK-së.

Menjëherë me 10 nëntor, LDK-ja së bashku me AAK-në dhe Nismën formuan koalicionin pas-zgjedhor, LAN, ku për kryeministër u nominua kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj kurse Isa Mustafa, kryekuvendar.

Në seancën konstituive të 17 korrikut, Mustafa zgjedhet kryekuvendar me një procedurë që rezultoi jovalide, pasi që çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese.

Pastaj Mustafa bëri koalicion me kreun e PDK-së, Hashim Thaçi me kushtin që LDK-ja përkatësisht Isa Mustafa të jetë kryeministër i ri, kështu që më 9 dhjetor 2014 merr postin e kryeministrit deri në 2017 kur shkarkohet me anë të një mocion mosbesimi.

Pastaj erdhi në pushtet Ramush Haradinaj si kryeministër pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Këtë post e mori më 9 shtator 2017.

Më 3 shkurt të vitit 2020, në pushtet si kryeministër erdhi Albin Kurti.

Si kryeministër qëndroi veç 50 ditë pasi u shkarkua nga një mocioni mosbesimi i cili erdhi pikërisht pasi Kurti mori vendim për ta shkarkuar nga detyra Ministrin e Brendshëm nga LDK-ja, Agim Veliun.

Ndërsa, pas Kurtit në pushtet erdhi Avdullah Hoti.

Hoti e mori detyrën me 4 qershor 2020. Hoti i LDK-së mori detyrën e re si shef i qeverisë së Kosovës, mirëpo paraardhësi i tij Albin Kurti, nuk ishte pjesë e ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës te njeriu të cilin ai e kishte shkarkuar.

Hoti ka arritur i vetëm në qeveri, me gardë ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por në hyrje te ndërtesës pritej vetëm nga sekretari i qeverisë Fitim Krasniqi dhe jo nga paraardhësi i tij, ish-partneri i koalicionit qeverisës, Albin Kurti.

Ish-kryeministri, Albin Kurti në një video mesazh, kishte deklaruar se nuk do të jetë prezent në dorëzimin e detyrës së tij.

“Nuk do ta bëj pranim-dorëzimin, pasi nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që u dorëzua edhe te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt”, porositi Kurti dje në një video-mesazh të fundit si kryeministër.

Kurti kishte shkarkuar Hotin nga posti i zëvendëskryeministrit vetëm pak orë pas shkarkimit të Qeverisë së tij më 25 mars, pas mocionit të mosbesimit, të iniciuar nga partia e Isa Mustafës, me të cilën Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës për 51 ditë.

Ndërkaq pas 13 muajsh, më 22 mars 2021, Albin Kurti zgjidhet prapë si kryeministër me 67 vota pro dhe 30 vota kundër.

Që nga atëherë Kurti është ende në pozitën e kryeministrit, mandat i cili parashihet të zgjasë deri më 2025.

Para tre ditësh ishte edhe 2 vjetori qëkur Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet.

Para dy vjetësh, Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani në zgjedhje të jashtëzakonshme, morën mbi 50 përqind të votave./ Dukagjini