Rrugëtimi i Arbërie Nagavcit nga mësimdhënëse në ministre të Arsimit dhe Shkencës

Nga 23 mars 2021, zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës udhëhiqet nga ministrja e re, Arbërie Nagavci. Ish-nënkryetarja e parë e Kuvendit të Kosovës, pranoi këtë detyrë nga ish-ministri i Qeverisë Hoti, Ramë Likaj.

Nagavci mori besimin e kryeministrit Albin Kurti që të udhëheq një ministri për herë të parë, ndërsa pjesë e legjislativit ka qenë për disa vite me radhë dhe gjatë kësaj kohe ka qenë anëtare e Komisionit për Arsim.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndër vite është udhëhequr kryesisht nga burrat, por Nagavci bëhet gruaja e dytë e cila është ministre e këtij dikasteri, e që e para ishte Hykmete Bajrami.

Jeta profesionale e Nagavcit

Arbërie Nagavci u lind më 29 mars 1970 në Gjakovë. Ajo studimet universitare i përfundoi për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe si dhe atë Juridik, në Universitetin e Prishtinës.

Në të njëjtin universitet ka përfunduar edhe studimet Master të Shkencave Juridike Ndërkombëtare.

Ajo është e certifikuar si trajnere dhe kryefasilituese në programe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në fushën e edukimit, lidershipit dhe udhëheqjes arsimore si dhe në të drejtat e njeriut/fëmijës.

Ajo po ashtu është e certifikuar edhe në programin për Lidership në Washington DC, programi i Pearson për mësimdhënës, të Nivelit të 5 të BTEC.

Nagavci ka një përvojë të gjatë në fushën e arsimit dhe edukimit.

Që nga viti 2010 ka qenë e angazhuar si konsulente, trajnere dhe këshilltare për arsim në programe të ndryshme në institucione vendore dhe ndërkombëtare si: USAID, GIZ, Këshilli i Evropës, KulturKontakt Austria, MAShT, KEC etj.

Nga viti 2014 deri më 2017 ajo ka qenë drejtoreshë e Drejtorisë Komunale për Arsim në Prishtinë si dhe për dy vite ka qenë dhe mësimdhënëse e nivelit të 5-të për asistent të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.

Pasuria e ministres së Arsimit dhe Shkencës

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arberie Nagavci në kohën kur ishte nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pasuri të paluajtshme një banesë në vlerë prej 70,000 euro.

Ndërsa, si pasuri të luajtshme ajo ka deklaruar një veturë në vlerë 18,000 euro. Sa i përket kredive, ajo i ka dy dhe të dyja i ka për blerjen e veturës dhe banesës.

Si të hyra vjetore ajo ka deklaruar se nga paga e saj ka 21,725 euro ndërsa mëditje ka marrë 313 euro. Ajo ka deklaruar edhe të hyrat e bashkëshortit që sillen rreth 3,600 euro nga një biznes.