Stadiumi "Fadil Vokrri" - Foto: KALLXO.com

Rrugët e Prishtinës që do të bllokohen për ndeshjen Kosova- Mali i Zi

Para ndeshjes së Kosovës me Malin e Zi, Policia ka njoftuar se për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve dhe për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të  automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

“Ju njoftojmë se pas pranimit të kërkesës nga Federata e Futbollit të Kosovës, për ndeshjen e futbollit, e cila do të zhvillohet sonte,  në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drejtoria Rajonale e Policisë –Prishtinë,  ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.

Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të  automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia do të ndërpres qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët “Enver Zymberi” dhe “Rinia”.

“Operacioni në fjalë do të filloj  të implementohet sot që nga ora 10:00 deri 23:00,  andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit  me vetura”, thuhet tutje në njoftim.

Ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet me fillim nga ora 20:45.