Ilustrim - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrugët e bllokuara nga bora ua kanë pamundësuar votimin banorëve të Debëlldehut deri në orën 11:00

Banorët e fshatit Debëlldeh të Komunës së Vitisë deri në orën 11:00 nuk kanë mundur të votojnë për shkak të bllokimit të rrugës nga bora në këtë fshat malor.

Banori i fshatit Debëlldeh, Mehmet Rrahmani e ka konfirmuar për KALLXO.com se vetëm pas orës 11 qytetarët në këtë fshat kanë mundur të votojë.

“Komisonerët dhe vëzhguesit kanë qenë në qendra në ora 6:15, mirëpo qytetarët kanë pasur vështirësi të vinë në qendër. Vetëm pas orës 11 është pastruar rruga dhe qytetarët kanë mundur të votojnë”, ka thënë Rrahmani.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Vitisë, Jakup Haxhiu ka thënë për KALLXO.com se kompania për pastrimin e rrugëve para pak minutash ka bërë pastrimin e kësaj rruge.

“Mund të konfirmoj që para 10 minutash kam marrë informacionin se rruga në fjalë është pastruar nga kompania përgjegjëse dhe se qytetarët mund të lëvizin lirshëm tani. Bora që ka rënë mbrëmë ka shkaktuar pengesa në disa rrugë, por tani ato janë duke u pastruar”, tha Haxhiu.

Në Kosovë është duke mbretëruar mot i ftohtë dhe sipas Institutit Hidrometeorologjik temperaturat më të ulëta do të shkojnë deri në -11 gradë celcius.

Në Komunën e Vitisë deri në orën 11:00 kanë votuar 7,30% apo 3,300 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që deri në orën 11:00 në të gjithë Kosovën kanë votuar 8,29% apo 145,763 qytetarë.

Në listën e votuesve janë gjithsej 1,794,862.00 votues.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka njoftuar se nuk ka raportime për incidente që e dëmtojnë procesin e votimit.