Foto: Komuna e Malishevës/Facebook

Rrugë të bllokuara e probleme me energji elektrike nga reshjet e shiut në Malishevë (FOTO)

Komuna e Malishevës ka njoftuar se gjendja në këtë komunë është e rënduar nga reshjet e shiut por situata është e menaxhueshme.

Në njoftim thuhet se lumi Mirusha ka dalë në disa vende nga shtrati.

“Si pasojë e reshjeve, disa rrugë janë bllokuar duke e përfshirë edhe qytetin, ndërsa qytetarët janë duke shfrytëzuar rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Po ashtu disa ura janë mbuluar nga uji dhe më problematike për qarkullim konsiderohet rruga Malishevë – Kijevë.

Komuna e Malishevës njofton se të gjitha ekipet emergjente komunale, së bashku me forcat e rendit janë në terren dhe situata është duke u menaxhuar.

Është bërë apel që qytetarët të mos lëvizin pa nevojë, pasi në disa rrugë ka probleme në qarkullim.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, së bashku me drejtoritë përkatëse dhe ekipet përgjegjëse të emergjencave dhe të rendit, prej mëngjesit janë në terren në menaxhim situatës.

“Ura në rrugën Malishevë – Kijevë është bllokuar, gjithashtu rruga Mirushë – Gurbardh, tek liqeni, është bllokuar, rruga në Turjakë, një urë në një lagje në Damanek, pastaj vështirësi ka edhe në rrugën e transitit në Malishevë, në qendër të qytetit, rruga Malishevë-Banjë ka probleme në qarkullim, prandaj luten të gjithë ngasësit e automjeteve që të shfrytëzojnë rrugët alternative në këto pjesë të Komunës së Malishevës. Probleme ka edhe në rrjetin energjetik”, theksohet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Foto: Komuna e Malishevës/Facebook
Foto: Komuna e Malishevës/Facebook
Foto: Komuna e Malishevës/Facebook
Foto: Komuna e Malishevës/Facebook
Foto: Komuna e Malishevës/Facebook
Foto: Komuna e Malishevës/Facebook
Foto: Komuna e Malishevës/Facebook