Autobus i Trafikut Urban - Foto: Facebook/ Komuna e Prishtines

Rruga "Xhorxh Bush" në Prishtinë hapet nesër për autobusët e Trafikut Urban, taksitë dhe automjetet emergjente

Të premten do lëshohet për qarkullim rruga ‘Xhorxh Bush’ për linja të trafikut urban, taksi dhe vetura emergjente.

Kjo rrugë ka qenë e mbyllur për disa javë pas organizimit të ‘Tregut të fundvitit”.

Sipas ndërmarrjes komunale Trafiku Urban prej nesër do të rikthet qarkullimi i autobusëve të linjave 1, 3 dhe 4 sipas rendit të udhëtimit të mëparshëm në drejtim të rrugës “Xhorxh Bush”.

Linja 1 vlen vetëm për autobusët e ndërmarrjes komunale dhe jo për ata të kompanive private.

Tutje, Trafiku Urban thekson se autobsët në sheshin “Xhorxh Bush” do të lëvizin me shpejtësi të kufizuar në 20 km/h.

Derisa,  linjat 1A dhe 7C do të vazhdojnë sipas rendit të udhëtimit të tanishëm.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, për Kallxo.com ka bërë të ditur se përpos autobusëve, taksive dhe veturave emergjente, nuk do lejohet qarkullim i makinave të tjera, pra jo atyre private.

Zgjerimi i sheshit deri te katedralja është pjesë e planit qeverisës të kryetarit Përparim Rama.

Sipas tij, kjo është vetëm faza e parë e zgjatjes së sheshit, pasi pjesa e dytë shkon deri te Posta e Madhe, me mundësi për një fazë të tretë deri te ‘Rrethi i flamurit’.

Nesër hapet rruga ‘Xhorxh Bush’ – lejohen vetëm autobusët, taksitë dhe veturat emergjente