Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rruga 'Turgut Ozal' në Prizren mbetet e pa rregulluar, institucionet fajësojnë njëra-tjetrën - FOTO

Rruga ‘Turgut Ozal’ në lagjen Bajram Curri të Prizrenit është dëmtuar në masë të madhe.

Sipas banorëve kjo rrugë është duke ju shkaktuar shumë probleme kalimtarëve me vetura.

Gjithashtu, banorët kanë deklaruar se kanë bërë kërkesë disa herë në Komunë të Prizrenit, por asnjëherë deri më tash nuk kanë marrë përgjigje.

KALLXO.com ka kontaktuar Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit në lidhje me ankesat që i kanë banorët e lagjes për këtë rrugë.

Në përgjigjen e komunës së Prizrenit thuhet se kjo rrugë ka mbetur pa u përfunduar sepse kompania Regjionale “Dukagjini” (Ish Radoniqi) nuk e ka rregulluar gypin e ujitjes.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e kompanisë së Ujësjellësit “Dukagjini”, Agim Mehmeti, i cili ka thënë se Komuna e Prizrenit nuk ka kontaktuar me ta para planifikimeve për shtrim të rrugës. Sipas tij gypi i ujitjes në atë pjesë është shtruar gjatë viteve të 60-ta dhe projeksionet në atë kohë kanë qenë që në mbi ta të mos kalojë makineri e rëndë pasi ka ajo pjesë e qytetit ka qenë lëndinë fushore.

“Komuna e Prizrenit, përkatësisht Kuvendi Komunal për fillimin e punimeve  duhet ta marrin pëlqimin prej kompanisë sonë. Kompania e lëshon pëlqimin edhe e njofton Kuvendin Komunal ose Operatorin Ekonomik për rrjetin e infrastrukturës nëntokësore ose mbitokësore të sistemit të ujitjes. Dhe këtë nuk e ka bërë as komuna e as Operatori Ekonomik sepse zakonisht kompanitë që të mos shkaktojnë dëme në sistem vijnë edhe pyesin për infrastrukturën në mënyrë që të mos kenë dëme të kushtueshme”, thuhet në përgjigjen e Mehmetit.

Gjithashtu, Mehmeti thotë se problemet me komunën e Prizrenit janë të vazhdueshme specifikisht me Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

“Nuk mund të konstatojnë saktë, por banorët e lagjes na kanë njoftuar se ka rrjedhje të ujit gjatë punës me mjete të rënda, kamiona e ato çka janë kanë mundur ta lëvizin e dëmtojnë gypin. Sepse gypat nuk janë paraparë që të qëndrojnë nën rrugë dhe janë vetëm për fushë. Ne e kemi njoftuar inspektoratin, ata e kanë bërë punën e vet, por neve s’na ka njoftuar askush. Problemet me Kuvendin Komunal i kemi të përditshme, edhe para tri vjetëve ka qenë pothuajse rasti i njëjtë me të njëjtën Drejtori”, thuhet më tej.

Në anën tjetër, përmes një vendimi të datës 30 korrik 2019, Komuna e Prizrenit ka urdhëruar Operatorin Ekonomik i cili ka qenë i kontraktuar për adaptimin e rrugëve me asfalt të ndërpresë punimet në këtë rrugë.

Kjo ndalesë ka ardhur pasi Inspektorati i Bujqësisë në kuadër të drejtorisë së Inspektorateve ka konstatuar se operatori ka dëmtuar gypin dhe se duhet ta rregullojë pasa se të shtrojë shtresën e fundit të asfaltit.

“Deri më tani nuk janë bërë sanime në gypin e ujitjes nga KRU “Radoniq dhe Dukagjin”, prandaj edhe shtresa e dytë e asfaltit nuk mund të shtrohet pa u kryer këto punime. Rruga është në gjendje të kalueshme dhe nuk përbën ndonjë pengesë në komunikacion duke u bazuar në atë se ekziston shtresa e parë e asfaltit të ri të shtruar në këtë pjesë”, thuhet në përgjigjen e  komunës.

Ndërsa në vendimin e përcjellë thuhet që kompania kontraktuese derisa ka qenë duke e shtruar asfaltin ka qenë në dijeni që ka dëmtuar gypin por nuk ka ndaluar punimet vullnetarisht.

“Kompania e lartshënuar ishte duke shtruar rrugën me asfalt por nga banorët e lagjes kishte ankesa se gypi i ujitjes është i dëmtuar dhe vazhdimisht rrjedh dhe kompania arsyetohej se me kërkesën e drejtorisë së shërbimeve publike ka filluar asfaltimin edhe pse ishe në dijeni se gypi i ujitjes është i dëmtuar. Prandaj ndalohet shtrimi i shtresës së dytë derisa të rregullohet rrjeti i ujitjes sipas standardeve të caktuara me ligj dhe nga KRU “Radoniq dhe Dukagjin”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Bujqësisë në kuadër të drejtorisë së Inspektorateve në komunën e Prizrenit.

KALLXO.com ka dërguar përsëri pyetje në Komunën e Prizrenit në lidhje me paqartësitë se në kompetencën e kujt është obligimi për rregullimin e gypit të ujitjes.

Të njëjtit përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se pastrimi dhe mirëmbajtja e sistemit të ujitjes Dukagjini janë në kompetencë të Kompanisë Regjionale të Ujitjes “Radoniqi- Dukagjini” -Gjakovë dhe ky kanal posedon edhe brezin tokësorë i cili është pronë (aset) i kompanisë dhe mbi të cilin kanal nuk lejohet të ndërtohet rrugë.

Ndërsa për akuzat se ky gyp është prishur nga Operatori Ekonomik, Komuna e Prizrenit thotë se nuk kanë pasur informacion se këta gypa janë dëmtuar gjatë punimeve andaj edhe riparimi i tyre nuk ka qenë obligim i operatorit.

Komuna po ashtu ka thënë se kjo kontratë kornizë për rregullimin e rrugëve nuk ka pasur afate për rregullimin e tyre, ndërsa afati i kontratës ka qenë 36 muaj, nga data 14 tetor 2017 e deri më 13 tetor 2020.

Ndonëse afati për realizimin e këtyre punëve ka përfunduar, komuna nuk ka dhënë informacione se si do të bëhet edhe shtrimi i shtresës së fundit të rrugës.

Banorët kanë dërguar në adresë të KALLXO.com disa fotografi në të cilat shihet gjendja e rrugës.