Rruga që u bë copë-copë nga vërshimet, u asfaltua me shumë probleme

Dëmtimi i rrugës që lidh fshatin Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës, kishte ngjallur reagime të shumta në opinion, në kohën kur vërshimet e shkatërruan pak ditë pas ndërtimit.

Kjo rrugë me gjatësi 4 kilometra ishte paraparë të realizohet për 45 ditë, por janë dashur plot 248 ditë për ta përfunduar këtë projekt.

Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtar të Auditimit, por ky nuk është problemi i vetëm që ka gjetur ZKA. Për këtë projekt ishin buxhetuar afër 35% më shumë mjete se sa nevojiteshin për ndërtimin e rrugës 4 kilometrshe.

ZKA thotë se për këtë projekt, nuk ishin në gjendje të sigurojnë ditarin ndërtimor për të vërtetuar ditët e punës si dhe për të kuptuar kohëzgjatjen e punëve dhe shkakun e vonesave.

Madje, ditari ndërtimor ishe mbajtur nga menaxheri i kontratës i caktuar nga Ministria e Infrastrukturës (i cili ishte me kontratë mbi vepër, sipas menaxherit të kontratës nga Komuna) dhe pas skadimit të kontratës, kishte humbur kontaktin me të dhe ditari ndërtimor kishte mbetur te ky i fundit.

“Megjithatë menaxheri i kontratës kishte dëshmi tjera rreth kohës së fillimit, ndërprerjes dhe përfundimit të punës. Ndër shkaqet për kohën e gjatë të zbatimit të kontratës, ishte inicimi i aktivitetit të prokurimit vonë gjatë vitit (11/7/2019), pastaj deri në nënshkrim të kontratës ishin dashur më shumë se dy muaj (69 ditë)”, thuhet në raport.

Gjithashtu është theksuar se punimet kishin filluar në shtator deri me 15 dhjetor 2019, kur ishin ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike, ndërsa kërkesa për pranim teknik ishte bërë në fund të qershorit të vitit 2020, ose më shumë se tetë muaj nga fillimi i punimeve.

“Sipas menaxherit të kontratës, faktor tjetër për vonesë në zbatimin dhe përfundimin e këtij projekti ishte mbyllja e tërësishme disa mujore për shkak të pandemisë”, thuhet në raportin e ZKA.

Tjetër gjetje sa i përket ndërtimit të kësaj rruge, është se ky projekt nuk ishte bazuar në ndonjë plan rregullues apo ndonjë standard të aplikueshëm.

“Për këtë rrugë, nuk është dhënë detyrë projektuese e as nuk është hartuar projekti kryesor, por është hartuar vetëm paramasa dhe parallogaria. As për këtë projekt, nuk kishte pasur një analizë kosto-përfitime për të përcaktuar përfitimin qytetar nga ndërtimi i saj”, është thënë në raportin “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale”

Si erdhi te dëmtimi i kësaj rruge nga vërshimet?

Auditori ka theksuar se pjesa më e madhe e rrugës, kalon nëpër terren kodrinor për të cilën Komuna nuk kishte bërë analizën rreth përfitimit për qytetarët.

“Komuna nuk kishte kontraktuar një kompani për hartimin e projekteve. Si rrjedhojë, nuk kishte hartuar projektin kryesor për këtë rrugë. Mos hartimi i projektit kryesor për ndërtimin e rrugës, ka bërë që ajo të ndërtohet bazuar vetëm në paramasë, gjë që ka bërë të mos dihet saktë se cili standard ishte zbatuar”, thuhet më tej.

ZKA në raport ka theksuar se kështu ishin anashkaluar shpimet gjeo-mekanike që i paraprijnë projektit kryesor, në bazë të së cilave përcaktohet konstrukti i rrugës, dendësia dhe ngjeshja e bazës së rrugës e për pasojë një pjesë e saj, që gjendej afërt shtratit të lumit, ishte dëmtuar për shkak se dendësia dhe ngjeshja e bazës së rrugës, nuk ishte adekuate dhe nuk ishte analizuar terreni.

“Rruga e dëmtuar ishte nën garanci dhe OE-ja kishte intervenuar për ta sanuar dëmtimin, mirëpo nuk e kishte kthyer në gjendjen e duhur ende. KM-ja në këtë rast në tërë gjatësinë e rrugës, e kishte aplikuar vetëm një profil të rrugës ngase për këtë nuk parashihet një profil tjetër (me infrastrukturë përcjellëse) meqë rruga përkatëse ishte kodrinore, por nuk e kishte analizuar si duhet pjesën përreth shtratit të lumit dhe për pasojë kishte ndodhur dëmtimi”, thuhet tutje.

Si u financua ky projekt?

ZKA thotë se për ndërtimin e rrugës Rudë – Sfërk, të kontraktuar në vlerë prej 267,720 eurove, KM-ja kishte siguruar financimin bazuar në memorandumin e mirëkuptimit me Ministrinë e Infrastrukturës dhe me memorandum ishte specifikuar që fillimisht MI-ja të ndajë 10,000 euro (për vitin 2018).

“Ndërsa Komuna 40,000 euro, derisa mjetet e parashikuara për vitet e ardhshme ishin deri në 370,000 euro. Në vitin 2019, MI-ja kishte buxhetuar 410,000 euro ndërsa çmimi i kontratës për këtë projekt ishte 267,720 euro. Kjo do të thotë se MI-ja kishte buxhetuar afër 35% më shumë mjete, ndërsa është siguruar se pagesat mund të kryhen me afat, me kusht që ndërtimi të kryhet brenda një kohe optimale”, thuhet në raport.

ZKA në fund ka theksuar se megjithatë ndërtimi i kësaj rruge në gjatësi prej 4 km, kishte përfunduar pas 248 ditë kalendarike, prandaj mbetja e pashpenzuar e shumës së buxhetuar, ishte dashur të bartet në vitin pasues, si suficit buxhetor.

Pra, për këtë projekt ishin buxhetuar afër 35% më shumë mjete se sa nevojiteshin për ndërtimin e kësaj rruge në gjatësi prej 4 kilometrave.

KALLXO.com kishte raportuar për prishjen e kësaj rruge. Reagime kishte pasur pasi Komuna e Malishevës kishte thënë se rruga në fjalë është në territorin e komunës së Klinës dhe se Komuna e Malishevës ka participuar me 40 mijë euro për ndërtimin e saj, kurse Komuna e Klinës ka thënë se procedurat tenderuese dhe të financimit për rrugën e dëmtuar dje i kanë bërë Komuna e Malishevës dhe Ministria e Infrastrukturës.

Malishevë, shiu e bën copë copë asfaltin

Asamblisti i LVV-së: Rruga e shkatërruar dje u tenderua dhe u mbikëqyr nga Komuna e Malishevës