Rruga për tek "Ujëvarat e Mirushës" mbetet e paasfaltuar edhe pas 3 viteve

Asfaltimi i rrugës që të dërgon te Ujëvarat e Mirushës nuk ka përfunduar ende edhe pse punimet kishin nisur para më shumë se 3 viteve.

Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare për Auditim në raportin “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” për Komunën e Malishevës.

ZKA thotë se kjo rrugë me gjatësi 3.1 kilometra dhe gjerësi 6 metra, nuk kishte përfunduar ende deri në qershor të vitit 2021, kur është kryer ky auditim, edhe pse kishin kaluar 42 muaj nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa ndërtimi ishte paraparë të zgjaste 120 ditë pune.

“Koha e fundit kur ishin zhvilluar punime në këtë projekt ishte në maj të vitit 2018 e që nënkupton se 35 muajt e fundit nuk kishte pasur asnjë progres në këtë projekt. Punimet kishin filluar në fund të muajit nëntor, por ishin pezulluar për shkak të sezonit dimëror pas 42 ditësh, shumë prej të cilave kishin qenë ditë me shi”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, punimet pastaj kishin filluar në fillim të prillit të vitit 2017, afërsisht katër muaj ose 113 ditë pas pezullimit, por pjesa më e madhe e punimeve ishin ekzekutuar brenda 45 ditëve vijuese, por rruga nuk ishte ndërtuar plotësisht.

Tutje thuhet se kishte mbetur edhe punimi i shtresës së asfaltit që sipas kontratës kishte kushtuar 1 euro për metër katror që përbënte çmim jo-normalisht të ulët, ndërsa çmimi i tregut ishte rreth 8 euro për metër katror.

“Duke qenë se OE-ja kishte ofertuar me këtë çmim, nuk i kishte leverdisë që të përfundojë këtë pozicion kështu që rruga nuk ishte ndërtuar as pas 42 muajve pas dhënies së kontratës”, thuhet në raport.

ZKA thotë se Zyra e Prokurimit në Komunë të Malishevës gjatë fazës së vlerësimit të ofertave kishte shfaqur dyshim se OE-ja nuk do të ishte në gjendje ta zbatonte kontratën me këtë çmim jonormalisht të ulët, andaj kishte kërkuar sqarime shtesë nga OE-ja.

“Me të marrë sqarimin, sado që ishte jo-bindës, zyra e prokurimit ia kishte dhënë kontratën e cila pati për pasojë gjendjen e përshkruar më sipër – mos realizim i punëve. Pas disa vërejtjeve që menaxheri i kontratës i kishte bërë në adresë të OE-së për mosrespektim të kushteve të kontratës, KM ia kishte ndërprerë kontratën dhe i kishte paguar shumën për punët që i kishte kryer deri në atë datë, duke aplikuar edhe gjobë për vonesë”, thotë ZKA.

Por, sipas tyre, Komuna nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim dhe për pasojë rruga kishe mbetur pa përfunduar.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj në vazhdën e premtimeve të zgjedhjeve të vitit 2017, kishte thënë se brenda vitit 2018 do të asfaltohet rruga për “Ujëvarat e Mirushës”.

KALLXO.com kishte raportuar për mos asfaltimin e kësaj rruge që nga viti 2017, ndërsa kryetari Begaj më 16 tetor të vitit 2020 kishte sqaruar se pse nuk ka përfunduar kjo rrugë.

“Unë s’po ia hedhin fajin askujt, por megjithatë problemet që kanë ndodhur me rrugën ka qenë një projekt i bashkë financuar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën, operatori ekonomik i pa përgjegjshëm, e ka kryer punën me zhavorrin dhe punë të tjera dhe pastaj ka ardh puna të asfaltimi e ka ndërprerë punën dhe s’ka dashtë me vazhdu tutje”, kishte thënë Begaj.