Rruga për në Bërnjak ende e bllokuar

Rruga për në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak është ende e bllokuar, kjo pasi në urën kryesore që të dërgon në këtë pikë janë vendosur mjete të rënda.

Ekipi i KALLXO.com që është duke qëndruar në këtë pjesë ka raportuar se këto automjete, një kamion dhe një eskavator nuk po mund t’i lëvizin për shkak të defekteve.

Po ashtu, nga zona veriore e Kosovës ekipi i KALLXO.com ka raportuar se edhe barrikadat që kanë qenë të vendosura në fshatin Zupçe të Zubin Potokut janë larguar.

Gjatë ditës së sotme është zhbllokuar edhe rruga në fshatin Rudar të Komunës së Leposaviçit.

Burimet e KALLXO.com kanë njoftuar se automjetet e rënda ishin vendosur në rrugë nga persona të maskuar, e madje edhe largimi i tyre u bë nga persona që po ashtu ishin të maskuar dhe vështirë të identifikueshëm.

Gjatë ditës Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme në një konferencë për media kanë folur për situatën e tanishme dhe zhvillimet e djeshme.

Kurti ka thënë para mediave se janë të vendosura 9 barrikada në veri të Ibrit dhe deri sa të largohet edhe barrikada e fundit, vendimet e 29 qershorit për reciporitetin e letërnjoftimëve dhe regjistrimin e targave në RKS nuk do të shtyhen.

Përderisa, ministry Sveçla ka njoftuar se si pasojë e zhvillimeve të djeshme janë lënduar 11 qytetraë dhe janë dëmtuar vetura të qytetarëve dhe të policisë.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë, tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkovic.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Një nga barrikadat që ishin të vendosura në fshatin Rudar të Leposaviqit është larguar sot gjatë ditës.