ARKIV - Oliver Ivanoviq

Rruga në të cilën gjendet objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut mban emrin 'Oliver Ivanoviq'

Rruga në të cilën ndodhet objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka tre emra, ‘Sami Frashëri’, ‘Nemanijna’ dhe ‘Oliver Ivanoviq’.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ulgjanin, i cili ka thënë se 99% të popullatës nuk e dijnë që është emëruar “Oliver Ivanoviq” nga Lista Serbe.

Ai është në përpjekje të shfuqizimit të vendimit për emërimin e kësaj rruge.

“Na e kemi Sami Frashëri, Nemanjina edhe qetash na u ka bashkangjit edhe Oliver Ivanoviq. Para neve që kanë qenë delegatë e kanë votu. Kur e kam këqyr unë ai vendimi nuk e ka kry procesin sipas rregullores sepse duhet njëfarë peticioni prej banorëve a pëlqim a mospëlqim. Ata se kanë bo atë veç e kanë votu. Në moment të caktuar kemi me pasë shfuqizimin e atij vendimi, por edhe na duhet me shku njëfarë mënyre me mbledh peticionin dhe me i kallxu popullatës sepse nuk mundemi me ia bo sikur ata”- ka thënë kryesuesi.

Për kohën kur kjo rrugë mori këtë emër, Kryesuesi i Kuvendit ‘kritikon’ Ministrinë e Pushtetit Lokal e cila sipas tij nuk ka ndërmarrë asgjë edhe pse sipas tij Lista Serbe nuk i ka ndjekur procedurat.

“Kur i kryen procedurat qysh duhet për emërimin e çdo rruge, ti duhesh me i kry procedurat sipas ligji edhe qysh e kanë pranu Ministria e Pushtetit Lokal? Kur e bijna vendimin kena me pasë me Ministrinë e Pushtetit Lokal problem. Na do t’i largojmë pa marrë parasysh çfarë vendimi ka, ne do t’i sulmojmë edhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Ne vendimin kena me kry por ata kanë me qenë problem qysh me na kthy përgjigje. Sepse ata munden me thanë vendimi u pranu edhe atëherë por nuk u pranu”- ka thënë ai.

Vendimi për shfuqizimin e këtij vendimi do të behët para vitit të ri sipas kryesuesit teksa emrat opsional për këtë rrugë janë dy emrat e lartcekur.

“Qato ndryshimet janë kanë atë vakt por tash ne shfuqizimin e këtij vendimi shumë shpejtë do ta bijmë”- theksoi Ulgjanin.

Në pllakatën e rrugës nuk figuron asnjëri emër, e sipas kryesuesit emri i “Oliver Ivanoviq” nuk meriton të identifikohet në këtë rrugë sepse sipas tij nuk ka dhënë asnjë kontribut për Lagjen e Boshnjakëve.

“Ai kurrfarë kontributi nuk ka dhanë për Lagjen e Boshnjakëve që na me ia emëru…”- përfundoi Ulgjanin.

Ndërsa, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë thënë për KALLXO.com se emërimi e riemërimi i rrugëve është nën kompetencën e Kuvendit Komunal.

“Kuvendi i Komunës, është kompetent për emërimi dhe riemërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve tjera publike ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin Nr. 04/L-071 për Sistemin e Adresave”.

MAPL ka përfunduar se “është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës”.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Lista Serbe mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, Ivanoviqi dikur konsiderohej një nacionalist por para vrasjes së tij ishte shndërruar në një politikan të moderuar që avokonte për bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Ai gjithashtu ishte shumë i zëshëm në kritikat kundër Beogradit. Në kohën e vdekjes së tij Ivanoviqi ishte duke u rigjykuar për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së 1999-s. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dëshmitarët hezitojnë të akuzojnë bandën serbe