Foto: Kallxo.com

Rruga në Fushë-Kosovë plot me pluhur e baltë, Komuna nuk merr masa (FOTO)

Rruga ‘Hamdi Grajçevci’ në Fushë-Kosovë është plot me pluhur e baltë si pasojë e ndërtimeve të larta që po bëhen në këtë rrugë.

Banorët e kësaj lagje ankohen se kompanitë e ndërtimit asnjëherë nuk e kanë pastruar këtë rrugë, ndërsa kritikojnë edhe Komunën e Fushë-Kosovës për neglizhencë.

Në këtë lagje gjithashtu gjendet një çerdhe. Drejtoresha e kësaj çerdhe, Anita Grajçevci, thotë për KALLXO.com, se punimet në këtë rrugë kanë filluar që rreth 5 vite. Sipas saj, ajo me prindërit e fëmijëve kanë bërë ankesë në Komunë për këtë problem, por nuk kanë marrë fare përgjigje.

“Ne nuk jemi që të mos zhvillohen ndërtimet, por së paku të marrin masa që të pastrojnë gomat e kamionëve e që mos ta bartin balten nëpër rrugë. Pluhuri është me shumicë nga mos pastrimi i rrugës, pastrimin e ka obligim edhe Komuna por deri më tash pa asnjë përgjigje”, ka thënë Grajçevci për KALLXO.com.

Ajo ka thënë se kërkesat e banorëve është që të mirëmbahet rruga dhe Komuna ta pastrojë atë së paku tre herë në javë.

Agron Blakaj është një tjetër banor i kësaj lagjeje që ankohet për gjendjen e rrugës. Ai thotë se ka provuar me dhjetëra herë që të kontaktojë Komunën për këtë problem, por sipas tij, një përgjigje konkrete ende nuk e ka marrë, edhe pse i është premtuar një takim me kryetarin e Komunës.

“I kemi shkruar zyrës së kryetarit dhe po ashtu në platformën e web faqes së Komunës për ankesat, por asnjëherë nuk janë përgjigjur. Kërkesat tona janë që operatorët që baltosin, ndotin dhe degradojnë rrugën të sanksionohen sipas ligjit, e në kushte normale, Komuna ta pastrojë herë pas here rrugën”, ka thënë për KALLXO.com Blakaj.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Fushë-Kosovës për të kuptuar se pse kompanitë e ndërtimit dhe Komuna nuk e bëjnë pastrimin e rrugës ‘Hamdi Grajçevci’, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com