Foto: ZKM

Rruga ku ra në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku merr emrin e tij

Rruga ku Afrim Bunjaku u vra në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit një vit më parë (24.09.2023), mori emrin e tij.

Në zbulimin e tabelës me emrin e Afrim Bunjakut morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha e ministrat Xhelal Sveçla, Elbert Krasniqi e Artane Rizvanolli.

Vendimi për emërtimin e kësaj rruge me emrin e heroit të Kosovës u mor në mblehdjen e Qeverisë një natë më parë, më 23.09.2024.

Gjatë ditës së sotme, drejtuesit e institucioneve kanë vizituar familjen e heroit Afrim Bunjaku dhe kanë bërë homazhe te varri i tij.

Në këtë vizitë morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë policorë që u përballën me sulmin terrorist të datës 24.09.2023

Kurti ka potencuar se Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për të sulmuar Kosovën dhe ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë, dhe ligjshmërisë.

“Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës, e po ashtu mirënjohje e thellë dhe falënderim i përjetshëm policisë sonë, e cila i ka trajnimet perëndimore dhe e ka patriotizmin vendor” – ka thënë Kurti.

Një vit më parë një grup i armatosur serbësh, në Banjskë të Zveçanit, vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Grupi udhëhiqej nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar pushtetin e Serbisë për organizimin e sulmit, ndërsa aktakuza e ngritur ndaj grupit thotë se ata kishin për qëllim të shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.