Rruga 'Pandeli Sotiri'/Fushë Kosovë
Rruga e paasfaltuar te hekurudha në Fushë Kosovë, ‘peng’ i kontestit mes komunës dhe Infrakosit (VIDEO)
Rruga ‘Pandeli Sotiri’, e cila gjendet ngjitur me hekurudhën në Fushë Kosovë është në gjendje të rëndë infrastrukturore.
Kjo rrugë bëhet vështirë e kalueshme për automjete e qytetarë sidomos gjatë kohës kur ka reshje shiu e bore.
Nga Komuna e Fushë Kosovës për KALLXO.com kanë thënë se për këtë rrugë kanë kontest pronësor me Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe nuk lejohet asfaltimi i saj për shkak të afërsisë me hekurudhën.
“Kemi marr kërkesë nga banorë dhe qytetarë të asaj zone për rrugën ‘Pandeli Sotiri’ por mund t’u them me përgjegjësi të plotë se kemi disa konteste për disa rrugë me Hekurudhat e Kosovës. Në atë pjesë nuk lejohet të bëhet asfaltimi i rrugës për shkak se ajo është pronë e hekurudhave dhe pa një leje të tyre ato rrugë nuk shtrohen. Ata banorë sigurisht se kanë vështirësi por kanë edhe rrugë alternative që janë të asfaltuara dhe të kalueshme” – ka thënë Topalli.
Rruga e paasfaltuar është shndërruar në pengesë për banorët e asaj ane. Rrahman Azemi, banor i kësaj zone thotë se hekurudhat nuk po e lejojnë shtrimin e kësaj pjese të rrugës.
“Për këtë rrugë s’di pse ka mbet, hekurudha nuk po e lejon shtrimin e saj se edhe këtë e kishin shtruar. Kemi problem me qarkullu sepse shikoni si është bërë, po derdhin edhe mbeturina e beton” – tha ai.
Bajram Shabani, po ashtu banor i kësaj zone thotë se po u prishen veturat nëpër këtë rrugë.
“Rruga në atë anë është e shtruar prej stacionit të trenit deri këtu, kjo rrugë shkon për Obiliq, e në këtë anë nuk është shtruar, ka nevojë se banorët udhëtojnë, po i prishin makinat, është shumë e nevojshme me shtru” – shtoi ai.
Edhe banori Shaip Exhani deklaron se kjo rrugë ka mbetur në gjendje të rëndë për shkak të hekurudhave dhe mbeturinave që hidhen aty.
“Kjo pjesë ka mbetë kështu për shkak të mbeturinave dhe më duket hekurudha ka bërë problem diçka sepse ma merr mendja që edhe këtë rrugë do e kishin shtru. Meqenëse i kanë asfaltuar të gjitha, pse jo edhe këtë” – potencoi Exhani.
Nga ndërmarrja e Hekurudhave të Kosovës – Infrakos për KALLXO.com kanë bërë të ditur se çdo ndërtim afër brezit hekurudhor duhet të bëhet me pëlqim të tyre, Për rastin në fjalë, sipas zyrtarit Refet Çitaku, nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Komuna e Fushë Kosovës.
“Çdo ndërhyrje nga palët e treta qoftë person juridik apo fizik në ndërtim në afërsi të brezit hekurudhor, patjetër që kërkohet një pëlqim paraprak nga komisionet profesionale të Infrakos sh.a në mënyrë që të jepen parametrat teknike për ndërtuesin e rrugës e cila e shmangë rrezikun në organizimin e komunikacionit hekurudhor. Për rastin në fjalë të kësaj rruge nuk kemi pranuar kërkesë nga Komuna e Fushë Kosovës” – ka thënë ai.
Tutje, Çitaku potencoi se distanca mes linjës hekurudhore dhe rrugës duhet të jetë aq sa mes tyre të mund të vendosen pajisjet e nevojshme.
“Distanca në mes të linjës hekurudhore dhe rrugës duhet të jetë aq sa ndërmjet tyre mund të vendosen të gjitha pajisjet dhe stabilimentet e nevojshme për zhvillimin e komunikacionit në hekurudhë dhe rrugë, si dhe duhet të jetë së paku 8 m,duke llogaritur nga aksit i binarit më të afërt deri të pika ma e afërt e shtresës së lartë të rrugës” – tha Çitaku.
Sipas tij, këto kushte teknike janë të caktuara në bazë të Ligjit mbi sigurinë e komunikacionit hekurudhor dhe rregulloreve ekzistuese të cilat aplikohen në Hekurudhat e Kosovës.