Rruga në periferi të Vushtrrisë, foto: KALLXO.com
Rruga e paasfaltuar në Vushtrri sfidon banorët për më shumë se një dekadë
Rruga disa metërshe që ndodhet në segmentin që e lidhë rrugën “Vëllezërit Gërvalla” me rrugën “Mazhiqet”, në periferi të Vushtrrisë ka më shumë se një dekadë që është e parregulluar, ndërsa komuna nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur do të intervenohet në këtë rrugë.
Hamdi Ferizi, banor në këtë lagje thotë se për rregullimin e kësaj rruge “kanë premtuar shumë, e pak punë kanë bërë.”
Sipas tij, ndonëse në këtë lagje janë 12 shtëpi që e frekuentojnë këtë rrugë, Komuna e Vushtrrisë ende nuk u ka ofruar zgjidhje.
“Ne në këtë rrugë jemi 12 shtëpi e nuk intervenojnë, krejt lagjet i kanë shtru e këtu te na jo, as në këmbë nuk munesh me kalu aty. Kisha pas dëshirë që këto fjalë me shku deri te kryetari e me i thanë pse fjalë po e me punu jo, që sa janë tu bo kështu për 300 metra rrugë”- tha Ferizi.
“Tu i la oborret uji po mbledhet aty në fillim, jemi në telashe dhe gajle”-deklaroi Ferizi për KALLXO.com.
Banorja tjetër e kësaj rruge, Selvete Smajli, tregoi për KALLXO.com, vështirësitë e përditshme në kalimin e kësaj rruge së bashku me djalin e saj me aftësi të kufizuara.
“Unë e kam djalin me nevoja të veçanta, këqyrne këtë rrugë, unë nëpër oborre të kojshive duhet me kalu për me qitë djalin në qendër, se unë djalin mshelë nuk muj me lanë”-rrëfeu Smajli.
“Krejt kanë shku në komunë, krejt k’ta kojshillak, jena bo bashkë kena bërë ankesë, po niher kurgjo”- ka thënë ajo.
Se kur ka reshje atmosferike tregon vetë banorja se si ballafaqohen.
“Bile sidomos ai shiu që ka ra këtu u kanë katastrofë, me mezi kemi kalu, veç me çizme, se ndryshe nuk ke mujtë me kalu”-tha ajo.
Banori tjetër, Agron Zymberi rrëfen se si gati e një dekadë janë duke u përballur me këtë gjendje të rrugës në lagjen e tyre.
“Faktikisht u kanë pak më mirë, e kam rregulluar edhe vetë, tre apo katër herë e kam shtruar zhavorr”-thotë Zymberi.
“Komuna na ka thanë që e shtrojna, para dy jave u kanë ditë e premte që jam shku, e i’u kam thanë, e kam bërë kërkesë, na kanë thanë të shtunën eventualisht të hënën kanë me shtru, por nuk kanë bërë kurrgjë”-potencoi Zymberi.
KALLXO.com ka kontakuar me drejtorin e Urbanizmit dhe zyrtarin për Menaxhmin e Projekteve në Komunën e Vushtrrisë, Nexhat Merovci, i cili tha se për këtë rrugë nuk ka ndonjë informatë konkrete.
Ai tha se “për momentin” si komunë e Vushtrrisë nuk kanë ndonjë plan për këtë rrugë.
“Qitash për momentin nuk kena ndonjë plan, nuk kam asnjë informatë për këtë segment rrugor, ndoshta kanë folë me drejtorin për Shërbime Publike për trajtimin me zhavorr”- ka thënë ai.
Merovci përfundoi se “është një numër i madh i projekteve që i kemi miratuar, por nuk i kemi ekzektuar sivjet shkaku i buxhetit. Kontrata kolektive na i ka zvogëluar dhe nuk kemi mundësi që këtë vit me intervenu për asfaltimi.”
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin për Shërbime Publike në Komunën e Vushtrrisë, Benjamin Shala, i cili deklaroi se kjo nuk është e vetmja rrugë që nuk është rregulluar.
Shala tha se në bazë të buxhetit bëjnë edhe planifikimin se sa rrugë duhet të rregullohen.
“Po, në planifikim e kemi një buxhet që në bazë të këtij buxhetit i bëjmë planifikimet, qaq sa na del buxheti, i shtrojna rrugët për çdo vit”-ka thënë Shala.
I pyetur se kur do të bëhet një zgjedhje për këta banorë, Shala tha se vetëm në bazë të buxhetit bëhet zgjedhje.
“Na zgjidhje bojna vetëm kur kemi mundësi buxhetore, se nuk është që kryhet me llafe, fjalë apo zotime”- tha ai.
“Kontrata kolektive na ka dëmtuar afro 6 milionë euro prej fillimit të vitit deri më tash. Ka shumë projekte që kanë mbetë në gjysme për shkak se përmbaruesi ka bllokuar llogaritë dhe i ka tërhekur parat nga investimet kapitale”- theksoi më tej ai.
Se nëse në këtë rrugë të paktën do të hidhet zhavorr, drejtori komunal tha se po e presin kontratën.
“Kontrata e zhavorrit është në Organin Shqyrtues të Prokurimit, në momentin që nënshkruhet jo vetëm kjo rrugë, por ku ka nevojë kena me shtru”- ka përfunduar Shala.