Rruga e lënë në gjysmë në Mitrovicë të Jugut, ankohen banorët – FOTO

Zhurma, pluhuri dhe punët e papërfunduara, janë bërë problem i përditshëm për banorët e lagjes “Agim Ramadani -Katana” në Mitrovicë të Jugut.

Rruga urëlidhëse mes qendrës së qytetit në jug të Mitrovicës dhe “Lagjes së  Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut tash e një vit është në një gjendje jo të mirë infrastrukturore.

Banorët shpresin shqetësimin e tyre për gjendjen e rrugës.

Qytetari K.H, tha për KALLXO.com se  gjendja e rrugës po i shkakton telashe edhe për biznesin e tij.

“Kjo rrugë është qishtu që një vit, pluhuni është bërë një problem për mu personalisht edhe për biznesin që e kam. Goxha problem, së pari shitje po kam ma pak, se njerëzt nuk po dojnë me ble sende me pluhur”- tha qytetari.

Një qytetar tjetër që jeton në këtë lagje, në kushte anonimiteti është shprehur se pluhuri është kthyer në një problem shëndetësor për të.

“Që një vjet, me qita pluhur, vallahin problem me kollitje po kam, se qitu ton ditën tu punu normal që është kthyer në problem shëndëtësor. Një erë e lehtë me fry krejt qita pluhur në shtëpi e shtin, qe kqyre vet krejt oborri zi osht prej qiti tymi që vjen prej pluhurit”- shtoi qytetari 56-vjeçar.

Banorët thonë se janë ankuar edhe në Komunën e Mitrovicës, mirëpo sipas tyre organet komunale ende nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Ngjitur me shtëpitë e tyre, përveç ballafaqimit me pluhur problem tjetër thonë se janë edhe mbeturinat.

“Krejt me pluhur e me bërllog, me qit gjendje jena tash e një vit, problem për jetës e për tonat. O jena shku, e kena folë me ta po sen, marre është për ta se çka janë tu na ba neve si qytetarë. Kjo rrugë me 500 metra mos me mujt me u shtru që 1 vjet katastrofë, a kur u kanë koha e votave krejt janë ardhë na kanë trokitë te dera. Për çka, vetëm për një votë” ”- potencoi banori B.M.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komunë e Mitrovicës së Jugut për gjendjen e rrugës në fjalë.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Granit Tmava tha se rregullimi i rrugës pritet të përfundojë brenda vitit 2024.