Naser Sahiti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rruga e ish-prorektorit drejt pozitës së rektorit të UP-së

Ish-prorektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti sot është votuar nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së si drejtues i këtij universiteti.

Sahiti që u zgjodh me 7 vota pro, tha se do të angazhohet  në ngritjen e aktiviteteve në hulumtime shkencore në universitet.

“ Prioritetet kanë të bëjnë me procesin e mësimdhënësve, përmirësimin e cilësisë në ngritjen e aktiviteteve në hulumtime shkencore dhe në përmirësimin e infrastrukturës së universitetit, të gjitha këto me transparencë dhe llogaridhënie”, ka thënë ai.

Rektori i ri po ashtu u zotua se nuk do të lejojë ndërhyrjet politike në UP.

“ Unë do të punoj  brenda kornizave ligjore që ekzistojnë, çdo bashkëpunim legal me politikën do ta bëjë, por jashta tyre nuk do të ketë asnjë ndërhyrje nga jashtë, nuk do të lejoj dhe nuk do të ndikohet nga qarqet politike. Rektori duhet të qëndroj mbrapa interesit të studentëve dhe sigurisht do të evitoj të gjitha ndikimet e mundshme anash meje”, ka shtuar ai.

Sahiti është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe ligjëron në Departamentin e Termoenergjetikës dhe Energjisë së Ripërtrishme.

Ai ka qenë prorektor për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, por kishte dhënë dorëheqje në vitin 2018, pasi pati mospajtime me rektorin Marjan Dema.

Nga viti 2013 deri më 2014 ka qenë prorektor për Buxhet dhe Financa në UP si dhe u.d i rektorit të UP-së, pasi kishte dhënë dorëheqje, ish-rektori, Ibrahim Gashi.

Në vitin 2009, Sahiti ka qenë edhe U.D prodekan për çështje mësimore në UP. Kurse, që nga viti 2015 deri më tani ka qenë anëtar i Bordit të Shkollës Verore të Komunitetit të Energjisë.

Sahiti edhe në një intervistë për KALLXO.com, javë më parë ishte shprehur i sigurt se do të marrë këtë post.

“Nëse anëtarët e Këshillit Drejtues nuk bien pre e ndikimeve politike, jam mjaft i sigurt që kam gjasa reale që të zgjidhem si rektor. Nëse veç, konfirmohet një gjë e tillë atëherë një prej atyre që unë synoj të arrij mandatin e ardhshëm është që universiteti ta ofrojë më shumë komunitetin, në mënyrë  që nga UP mos të përfitojnë drejtpërdrejtë vetëm studentët e UP-së, por edhe shoqëria në tërësi”, kishte deklaruar Sahiti.

Emërimin e Sahitit për këtë pozitë e ka mirëpritur Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila po ashtu edhe e ka monitoruar këtë proces.

Sipas ORCA-së Këshilli Drejtues kanë qenë transparent në procesin e intervistimit dhe se prezantimet e kandidatëve kanë qenë të dijnjitetshme.

“Me këtë rast ORCA përgëzon Këshillin Drejtues për transparencës. Po ashtu ORCA thekson se prezantimet e të gjithë kandidatëve kanë qenë të dinjitetshme dhe kanë adresuar shqetësimet kryesore të publikut që lidhen me transparencën dhe integritetin.”, thuhet në komunikatën për media.

Procesi i përzgjedhjes së rektorit të UP-së u mbajt pa praninë e mediave, pasi që Këshilli Drejtues e kishte marrë një vendim të tillë.

Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të mbledhjes dhe më pas ka pasur deklarata në fund të procesit.

KALLXO.com kishte bërë kërkesë për monitorim të këtij procesi, por se nuk i është lejuar qasja dhe nuk ka pranuar sqarime se pse nuk është ofruar një gjë e tillë.

Gara për të parin e UP-së

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30. Sipas konkursit, të drejtë kandidimi për këtë pozitë kanë pasur kandidatët e brendshëm dhe të jashtëm.

Emërimi i rektorit bëhet nga 1 tetori deri më 30 shtator të vitit 2024.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor.

Naser Sahiti, Faton Berisha dhe Blerim Rexha, ishin kandidatët që ishin rekomanduar nga ana e Komisionit Profesional të formuar nga Senati.

Berisha nga ana e Këshillit Drejtues ka marrë vetëm dy vota, kurse Blerim Rexha asnjë për pozitën e rektorit.

Kandidatë për këtë pozitë ka qenë edhe Zenun Halili, por se ai u largua nga gara për shkak se komisioni profesional për zgjedhjen e rektorit e kishte eliminuar nga gara me arsyetimin se ai mund të jetë në konflikt të interesit.

Një konstatim të tillë e kishte dhënë edhe Agjencia Kundër Korrupsion për rastin e tij. Kjo pasi që, Halili, para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së. Arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ka qenë për shkak të kësaj pozite.

Komisioni ka theksuar se Ligji për Parandalimin e Konflikit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik tregon qartë për kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve, të cilin komision e formon Senati.