Rruga e dëmtuar në Semetisht të Suharekës, banorët kërkojnë intervenimin e komunës - VIDEO

Banorët e fshatit Semetisht të Suharekës janë në hall me një rrugë për të cilën kërkojnë intervenimin e ekzekutivit lokal të Suharekës.

Afrim Bytyqi, banor nga ky fshat thotë se prej kohës kur është shtruar, rruga ka probleme.

“Kjo rrugë prej kur është shtruar, qikjo shtresë e asfaltit 5-6 centimetra, eventualisht 10 centimetra, kjo nuk zë vend asnjëherë, për çdo ditë rrëshqet” – ka thënë Bytyqi.

“Shih, me traktor edhe mund të praptohesh, tu shku me mbjell bukë në ara. Janë kanë nga komuna, në kohë fushate, po thonë e rregullojmë – më kurrë” – tha ai.

Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Suharekës ka thënë se terreni në fshatin Semetisht është i vështirë, prandaj edhe rruga është prishur.

“Ky problem nuk është i viteve të fundit por është më shumë se katër vjet. Është problem sepse ka lëvizë toka, ne kemi bë edhe matjet dhe duhet një investim i madh” – ka thënë Kuçi.

Kurse kryetari, Bali Muharremaj ka thënë se janë duke punuar që të ndërtohet një rrugë e re.

“Ne kemi duke punuar në një tranzit të ri, që e lidhë Breshancën me pjesën e Pagarushës, kështu që nuk është mirë me investu dy herë në një vend dhe po presim” – tha Muharremaj.