Arsim Ademi - Foto: ZKM
Rruga e Arsim Ademit nga mjek veterinar në postin e zëvendësministrit të Arsimit
Dikur kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Arsim Ademi, me përgatitje akademike prej mjeku veterinar, tash e gjashtë ditë është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit.
Ademi u emërua zëvendësministër i Arsimit nga kryeministri Albin Kurti më 12.09.2024.
Para se të emërohej zëvendësministër, Ademi ka shërbyer si kryetar i Odës së Veterinerëve të Kosovës.
Kur u pyet nga KALLXO.com se a do ta kishte vlerësuar më shumë nëse do të ishte zgjedhur zëvendësministër i Ministrisë së Bujqësisë për shkak të përgatitjes akademike që ka, Ademi tha se do të kishte dhënë kontribut edhe atje.
E për shkak të përvojës që ka pasur më herët, Ademi u shpreh optimist se do të japë kontribut në Ministri të Arsimit.
“Në të dy vendet mendoj që muj me dhanë kontributin, edhe atje (në Ministri të Bujqësisë) me pasë qenë, përderisa jam i fushës, muj. Po edhe në aspektin e njohjes me problemet e arsimit të lartë, me problemet p.sh. tash aktualisht me Ligjin e ri që duhet me u ba për njohjen e kualifikimeve, u thash që kam edhe një kontribut po njëfarë forme edhe një përvojë në punën që është bërë në atë pjesë, d.m.th. të përgatitjes së legjislacionit. Mendoj që edhe këtu, pa problem, sidomos në këto fusha që i përmenda mundem me dhanë kontribut” – është përgjigjur Ademi më 17.09.2024.
Pas kandidimit për kryetar të Komunës së Vitisë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, zëvendësministri Ademi ka treguar nëse do të garojë sërish në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ai tha se është uruar dhe mirëpritur nga e para e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci, për pozitën në të cilën është emëruar, dhe se janë në komunikim të vazhdueshëm.
“Jo veç që m’ka uru, po më ka mirëpritë. Sot e kemi pasë një takim ose një vizitë të përbashkët me të, te gjimnazi “Ahmet Gashi”, po edhe kemi pasë diskutime rreth problemeve të ndryshme që janë, edhe kemi diskutu d.m.th. se cili dhe ku mundet me qenë kontributi im” – ka thënë Ademi më 17.09.2024.
Zëvendësministri Ademi e ka konfirmuar se i ka filluar studimet në nivelin bachelor më 1997 në drejtimin e veterinarisë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës. Këto studime i ka vazhduar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, dhe i ka përfunduar më 2003.
Si rrjedhojë, Ademi tha se studimet master i ka vazhduar në Tiranë gjatë periudhës 2007 – 2008 dhe ka marrë titullin “Master i Mjekësisë Veterinare”.
Kurse, studimet e doktoraturës i ka filluar dhe përfunduar në vitin 2019 me bursë të plotë në Norvegji.
Sipas Ademit, gjatë kohës së studimeve në Norvegji, studiuesit e doktoraturës janë llogaritur si staf i Universitetit, jo vetëm si student.
“Po, kam vazhdu edhe studimet Master në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, në kuadër të Universitetit Bujqësor të Tiranës, edhe studimet e doktoraturës i kam përfundu në Universitetin norvegjez të shkencave të jetës ose Norwegian University of Life Sciences që është, atje e kam përfundu doktoraturën” – tha Ademi.
Ademi ka treguar se ishte angazhuar edhe si asistent në Fakultetin e Bujqësisë në UP më 2010, pastaj prej vitit 2021.
“Kam katër vite d.m.th. një kam punu në vitet 2010 – 2011, edhe tash prej 2021 deri tash jam asistent i angazhuar d.m.th. jam si bashkëpunëtor i jashtëm” – ka thënë Ademi.
Ai madje tha se ka aplikuar këtë vit në konkursin e UP-së për bashkëpunëtor të jashtëm, mirëpo nuk vazhdon të jetë asistent në UP pas emërimit si zëvendësministër i Arsimit.
“Jo, për momentin kam apliku para se me u ba zëvendësministër (i Arsimit), po nuk, akoma s’kanë dalë (rezultatet) aty edhe tash, besoj që nuk, me sa e di unë nuk kam të drejtë me vazhdu, po akoma s’e kam këqyrë këtë pikë. A po e din, se nuk është se m’ka dalë emri hala për shkak se është në proces të vlerësimit” – ka shtuar Ademi.
Arsim Ademi tha se ka punuar rreth 10 vjet si mjek veterinar.
Ndërsa, për një vit e gjysmë, në periudhën 2010 – 2011, Ademi ka punuar edhe në organizatën humanitare “Heifer International Kosova” si ekspert i fushës së veterinarisë dhe si menaxher i disa projekteve.
“Heifer International Kosova” Ademi ka treguar se ka qenë më shumë organizatë humanitare, e cila ka pasur një degë në Kosovë, mirëpo me bazë ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ka qenë më shumë në rolin e një organizate humanitare që ka ndihmu ata fermerë të vegjël që kanë pasë eventualisht pak d.m.th. krerë ose s’kanë pasë fare për m’i ndihmu me u shndërru në fermerë… Janë ndihmu edhe në ushqime p.sh. për kafshë, gjana tjera, po janë ndihmu edhe, ajo çka është kanë ma e rëndësishme për mendimin tim, edhe me pjesën teorike d.m.th. që është ndihmu se qysh duhet faktikisht me funksionu ata” – ka treguar Ademi më 18.09.2024.
Në Odën e Veterinerëve të Kosovës, Ademi ka qenë për dy vjet në pozitën e nënkryetarit.
Pothuajse pa i bërë një vit si kryetar i Odës së Veterinerëve të Kosovës, për shkak të pozitës së zëvendësministrit të Arsimit, ai tha se do të japë dorëheqje te Oda e Veterinerëve të Kosovës.
“Kam qenë nënkryetar për dy vite (në Odën e Veterinerëve të Kosovës), 2019-2021, masanej e kam ndërpre. Tash, në vitin e kaluar (2023), d.m.th. në tetor e kam marrë pozitën e kryetarit të Odës të Veterinerëve deri tash. E tash m’duhet me dhanë dorëheqje prej asaj pozite” – tha ai.
Lajmin se është bërë zëvendësministër i Arsimit ia ka kumtuar Odës së Veterinerëve të Kosovës atë ditë që është emëruar në këtë pozitë.
“E kam njoftu kryesinë (e Odës së Veterinerëve të Kosovës) për pozitën që e kam marrë edhe që duhet me organizu zgjedhjet, qysh e parasheh ligji, mrena 45 dite” – ka thënë Ademi.
Arsim Ademi ka treguar se zyrtarisht prej vitit 2018 është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa nuk është në dijeni nëse do të kandidojë për kryetar të Vitisë në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm.
“Është diskutu, po akoma kështu vendim final nuk kam marrë, as unë, as subjekti, kjo vendoset në të ardhmen” – ka thënë Ademi.
E në rast se kandidon për kryetar të Vitisë në zgjedhjet lokale Ademi tha se nuk është se e ka menduar a do të japë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit gjatë kandidimit.
“Nuk ka qenë praktikë që me heq dorë, nuk di çka me të thanë, nuk është që e kam mendu këtë pjesë” – tha Ademi.
Përveç Ademit, Ministria e Arsimit ka edhe një zëvendësministër të Arsimit, Taulant Kelmendin.
Zëvendësministri Kelmendi u emërua në këtë pozitë më 09.05.2023.
Kurse, dy ish-zëvendësministra të Arsimit nën udhëheqjen e ministres Arbërie Nagavci, Dukagjin Pupovci dhe Edona Maloku-Bërdyna patën dhënë dorëheqje.
Dukagjin Pupovci ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Arsimit në nëntor, 2022, kurse Edona Maloku-Bërdyna ka dhënë dorëheqje më 01.08.2023.