rruga A

'Rruga A' do emërohet ‘Xhim Xhema’

Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi propozimin e kryetarit Përparim Rama që ‘Rruga A’ të emërohet ‘Xhim Xhema’

Rama para asamblistëve të Kuvendit Komunal tha se Xhema ka kontribuar shumë për t`i treguar botës gjendjen e shqiptarëve gjatë regjimit serb.

“Të nderojmë jetën dhe veprën e një heroi të kohëve tona. Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai quhet Xhemajl Xhema, por meqë jetoi në SHBA, u njoh kryesisht me emrin Xhim. Ai në SHBA nisi biznesin e ndërtimtarisë dhe veprimtarisë kombëtare në njohje me senatorë e kongresmenë, sidomos me Bob Dole, i cili ka kontribuar shumë në ngritjen e zërit për gjendjen e shqiptarëve të Kosovës”- tha Rama.

Ai është nderuar nga ish Presidenti Ibrahim Rugova e ish Presidenti Bujar Nishani.

Komuna e Prishtinës në vitin 2022 ka nisur procedurat për ndërtimin e ‘Rrugës A’, aktualisht është tenderuar vetëm një pjesë nga Mati dhe në Lagjen e Spitalit. Pjesa tjetër do lidhet me Lagjen Kalabria si dhe do rregullohet kolektori i ujërave të zeza.