Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

“Rrufeja” për herë të tretë në zyrat e OVL-UÇK, Gjykata Speciale hesht përsëri

Sot, për herë të tretë, një person u shfaq pranë zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë herë, ai përplasi disa dokumente në hyrje zyrës së OVL-UÇK-së.

Vetëm pak çaste më pas, krerët e kësaj organizate thirrën konferencë për media ku edhe njoftuan për dokumentet që solli një person, sipas tyre, i panjohur.

Madje drejtuesit e OVLUÇK e kanë pagëzuar këtë person me nofkën “Rrufeja”.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj njoftuan se dokumentet e pranuara në ditën e sotme përmbajnë emra të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale. Ata prezantuan para mediave edhe dokumentet të cilët mbanin logon e institucionit të drejtësisë, që u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Gjykatës Speciale, por nga zyra për medie kanë refuzuar të japin një përgjigje për pretendimet e OVL-UÇK-së.

“ZPS nuk po komenton”, ka thënë shkurt Christopher Bennett, zëdhënës nga Gjykata Speciale.

Ditë më parë, Gjykata Speciale gjithashtu refuzoi t’i komentojë deklarimet e krerëve të OVL-UÇK-së, se dosjet e paraqitura në këtë organizatë janë origjinale të gjykatës.

OVL-UÇK thotë se dokumentet janë origjinale, Gjykata Speciale hesht

www.kallxo.com