Rrokulliset një veturë në rrugën Prishtinë-Pejë, 3 persona të lënduar

Tre persona kanë mbetur të lënduar në një aksident afër Parkut të Biznesit në Korreticë të Epërme, në rrugën Prishtinë-Pejë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, Daut Hoxha zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Policia rastin po e cilëson si vetaksident.

Dyshohet se vetura për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës ka goditur pjesën anësore dhe është rrokullisur.

“Rreth orës 13:50, afër Parkut te Biznesit në Korreticë te Lartë, drejtimi i rrugës Prishtinë-Pejë, është shkaktuar një aksident trafiku – vetaksident, ku dyshohet se automjeti i tipit Reno Clio me targa vendore për shkak te mospërshtatjes se shpejtësisë në rrugë ka goditur në pjesën anësore dhe është rrokullisur. Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar tre persona. Në vendin e ngjarjes kane dalë dy autoambulanca dhe kanë marrë personat e lënduar. Njësia patrulluese policore, përfshirë hetuesin kompetent nga Njësia për kontroll te autostradës janë marrë me rastin”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com

Hoxha ka theksuar se kërkojnë nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat në trafik e veçanërisht t’u përmbahen kufizimeve të shpejtësisë.