Ilustrim

Rrogën stimuluese personeli shëndetësor shtetëror e ka marrë, por jo edhe ai i CARITAS-it

Qeveria e Kosovës ka filluar transferimin e pagave stimuluese për ‘vijën e parë të frontit’, mjekët, por këtë pagë ende nuk e kanë marrë personeli shëndetsorë i CARITAS-it në Ferizaj.

Punëtorët e kësaj organizate kanë shkruar në adresën e KALLXO.com, ku kanë thënë që ende nuk e kanë marrë pagën të cilët tashmë u takon, pra pagën për stimulim.

KALLXO.com ka kontaktuar menaxherin e CARITAS-it në Ferizaj, Xhevdet Haxhidema,  ku e konfrimoi që të gjitha procedurat i kanë përfunduar dhe i kanë dorëzuar Ministrisë së Financave, por pagat stimuluese ende nuk kanë dalë.

Sipas informacioneve të Haxhidemajt, pagat stimuluese nuk kanë dalë as për punëtorët e organizatës në komuna tjera, jo vetëm në Ferizaj.

“Po, ne i kemi kryer (procedurat për marrjen e pagës stimuluese), po presim përgjigje prej Ministrisë edhe pse ndoshta nuk kthejnë kurrfarë përgjigje, por vetëm i qesin pagat stimuluese. Më duket që, në nivel të Kosovës që janë përmesë CARITAS-it ende askush nuk ka marrë (pagën), nuk është vetëm Ferizaj”, theksoi ai.

Tutje, ai tha se nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria edhe pse u kanë thënë që të marrin një konfirmim pasi që të pranojnë listën.

“Jo, për besë nuk na kanë kthy asnjë përgjigje nga Ministria, ne u kemi thënë në rast se ka diçka na informoni, por ende nuk kanë kthy përgjigje, pagat nuk kanë dalë se me pas dal pagat na kishin njoftu punëtorët që na dulën pagat, e deri sot që po flasim jo”, tregoi tutje Haxhidema.

Në anën tjetër, Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave, tha se pagesat për këtë kategori nuk do të bëhet në të njejtën mënyrë ashtu si me punonjësit publik.

“Shtesa 300 euro për punonjësit e institucioneve shëndetsore publike të kontraktuara nga OJQ-të  dhe kompanitë private ende nuk janë ekzektu. Kjo për arsye që nuk janë në listën e pagave të institucioneve publike, pagesa për këtë kategori nuk është bërë në të njejtën mënyrë me punonjësit e sektorit publik”, tha Shahini në një përgjigje për KALLXO.com.

Ai tha se pagesat për këtë kategori do të bëhet këtë javë, dhe se komisioni është duke punuar për këtë.

“Komisioni për verifikimin e dokumentacioneve është duke punuar intensivisht dhe shpresojmë që këto pagesa do të bëhen gjatë kësaj jave”, u shpreh ai.

KALLXO.com disa javë më parë ka raportuar për përfshirjen e kësaj kategorie në këtë pako të Qeverisë.