Foto: Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës reagon pas skandalit të Gjykatës së Gjilanit të publikuar nga KALLXO.com

Një hulumtim i KALLXO.com i publikuar gjatë ditës së sotme ka zbardhur se gjatë trajtimit të një rasti të dhunës në familje, Gjykata e Gjilanit -dega në Viti ka shkelur rregullat e Kodit të Procedurës Penale duke e përballur një grua me burrin e saj, i cili ishte arrestuar për dhunë në familje.

V.A. (gruaja) ka marrë lëndime pasi është sulmuar para dy ditësh nga bashkëshorti i saj, një major në FSK.

KALLXO.com zbulon se Prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh për të dyshuarin ndërsa për ta zbutur situatën, në gjykatore ishte ftuar viktima e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej.

Gjyqtari kishte thyer rregullat e Kodit të Procedurës Penale, pasi që lejoi prezencën e të dëmtuarës në këtë rast gruas së majorit të FSK-së të dyshuar për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor.

Rrjeti i Grave të Kosovës tregon se në shumë në gjetje e hulumtime të realizuara nga RrGK , shpesh herë është vënë re se gjyqtarët, prokurorët, përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale si dhe zyrtarët policor, gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, kanë tendencë të fajësojnë viktimën, apo të provojnë ta bëjnë pajtimin e familjes, madje edhe kur të gjitha provat dëshmojnë për dhunë me pasoja të rënda fizike dhe emocionale.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të RrGK-së:

Bazuar në gjetjet e hulumtimeve të realizuara nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), shpesh herë është vënë re se gjyqtarët, prokurorët, përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale si dhe zyrtarët policor, gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje, kanë tendencë të fajësojnë viktimën, apo të provojnë ta bëjnë pajtimin e familjes, madje edhe kur të gjitha provat dëshmojnë për dhunë me pasoja të rënda fizike dhe emocionale.

Ngjashëm ka ndodhur edhe në rastin e raportuar sot, më 5 dhjetor, në një artikull të Kallxo.com, ku tregohet se pas monitorimit të seancës nga gazetarët, ishin vërejtur shkelje të rregullave të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë rast, Gjykata e Gjilanit- dega në Viti, kishte ballafaquar viktimën e dhunës në familje me burrin e saj, i cili e kishte ushtruar dhunën. Si pasojë e kësaj dhune të përjetuar, gruaja në fjalë kishte marrë lëndime, për të cilat i është nevojitur kujdesi mjekësor. Pasi që i biri i tyre kishte dashur ta dërgojë viktimën në shërbim mjekësor për trajtim, ushtruesi i dhunës e kishte ndaluar, duke ushtruar dhunë edhe ndaj tij. Ushtruesi i dhunës, sipas atikullit në fjalë është major në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas po të njejtit burim, pohohet se për të dyshuarin prokuroria kishte kërkuar paraburgimin prej 30 ditësh, mirëpo në gjykatore ishte ftuar viktima “e cila në një rast të paprecedent në drejtësi kishte kërkuar që burri i saj të mos burgosej”, me qëllim të zbutjes së situatës, rrejdhimisht edhe të dënimit. Poashtu, sipas Kallxo.com, të cilët që nga fillimi kishin përcjellur këtë rast, u tha se gjyqtari i këtij rasti Nexhat Aliu, kishte cekur se “…ne nuk e kemi thirrë [viktimën]. E ka pas një seancë përpara për dhunë në familje, ne nuk i kemi dërguar as ftesë, ka dashtë me ardh, ka dashtë me prezantu edhe ka prezantu, por ne nuk i kemi dërgu ftesë”, ndërsa më vonë kishte deklaruar se “ajo është gruaja e tij dhe ne nuk jemi me shkatërru familje, jemi për me u mundu me arritë që ata me qenë bashkë prapë”.

RrGK pajtohet me përfundimin e Kallxo.com ku thuhet se “edhe përkundër deklaratave të gjykatësit, Kodi i Procedurës Penale ka paraparë rregulla strikte ku personat e paautorizuar nuk lejohen të marrin pjesë në seancë të paraburgimit, përfshirë edhe viktimat”. Kështu, si rrjedhojë, gjykata është dashur të veprojë sipas detyrës dhe dispozitave ligjore, pa marrë parasysh dëshirën e viktimës për të marrë pjesë në seancë.

Tutje, RrGK ri-kujton prokurorinë në Gjilan, por edhe kudo në Kosovë, që sipas Kodit Penal të Kosovës, parashihet ndjekje në rastet e dhunës në familje, veçanërisht kur ka krime që përfshijnë lëndime të lehta e të rënda trupore, kushte të ngjashme me skllavërinë, punën e detyruar, përdhunimin dhe sulmin seksual kur kryhet në marrëdhënie familjare.

Në mes të disa rrethanave rënduese të cilat do të duhej të shoqëronin vendimin në këtë rast, sipas Nenit 70 të KPK-së, duhet të merret parasysh edhe fakti se ushtruesi i dhunës është pjesëtar i FSK-së. Kjo sipas kodit penal të Kosovës, do të duhej të merrej si rrethanë rënduese sipas Nenit 70, pika 2.9, dhe jo t’i lehtësohen procedurat gjyqësore të dyshuarit siç është rasti aktualisht.

RrGK bën thirrje që Gjykata Themelore në Gjilan- dega në Viti, ta trajtojë këtë rast sipas kornizës ligjore në fuqi, si dhe sërish u bënë thirrje organeve të drejtësisë të qëndrojnë prapa detyrave dhe obligimeve ligjore e të mos shkaktojnë ri-viktimizim dhe pajtim ndërmjet personave që janë rrezik i lartë dhe viktimave të dhunës së tyre. Tendecat e tilla për pajtim, ka ndodhur që të dërgojnë në fatalitet për jetët e grave dhe vajzave, andaj duhet kujdes i shtuar dhe vlerësim i mirëfilltë i rrezikut në rastet e dhunës ndaj grave.

Gjithashtu mund të lexoni edhe hulumtimin e publikuar nga KALLXO.com:

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

Majori i FSK-së dyshohet se rrahu gruan e fëmijët

Skandali i Gjilanit: Gjykatësi ‘nuk mund të bëhem ma katolik se papa’

Skandali i Gjykatës së Gjilanit, prokuroria ankohet në Gjykatën e Apelit