Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas vrasjes së 18-vjeçares dje në Ferizaj. Përmes një reagimi, RrGK ka kërkuar që rasti të hetohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse.

“Ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit. Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës.

“Le të kujtojmë këtu se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin. Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal”, thuhet në reagim.

Në fund, RrGK ka kërkuar që qytetarët të bashkëpunojnë me forcat e rendit për gjetjen e njërit të dyshuar i cili është ende në arrati ndërsa, ka thënë se ky rrjet nuk do të ndalet së avokuari për të drejtat e grave.

“Njëherësh, u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë, kurse mediave u bëjmë thirrje që të raportojnë duke pasur në qendër të vëmendjes ruajtjen e dinjitetit të viktimës – vetëm në këtë mënyrë secili prej nesh do të luajmë rolin që na takon në luftimin e pakusht të vrasjes së vajzave dhe grave. RrGK nuk do të ndalet derisa vrasjet e vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, thuhet në fund të reagimit.

Vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj, Policia publikon fotografinë e të dyshuarit i cili ndohet në arrati

www.kallxo.com