Rrjeti i Grave të Kosovës, kërkon përfshirje të barabartë të grave e burrave në zgjedhje lokale

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në një letër të hapur për partitë politike ka kërkuar që të angazhohen për përfshirje të barabartë të grave dhe burrave në kandidaturat për kryetarë/e të komunave.

Përmes kësaj letre, RrGK, ka thënë se përfshirja e barabartë bëhet përmes zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore.

“Gratë në Kosovë mbesin të nën përfaqësuara fillimisht brenda partive, e më pas edhe në kandidatura për kryetare të komunave. Deri më tani, asnjë grua nuk është kandiduar për kryetare të ndonjë komune. Kjo bie ndesh me nenin 14 të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj)”, thuhet në letër duke u shpjeguar se ky ligj obligon partitë politike që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive.

Sipas këtij ligji përfaqësimi i barabartë gjinor arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) në jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin, kulturën dhe sferat tjera të përcaktuara me këtë ose ndonjë ligj tjetër.

Sipas RrGK pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017, gratë përbëjnë vetëm 33% të anëtarëve të kuvendeve komunale, dhe 0% të kryetarëve të komunave.

Sipas RrGK përfaqësimi i barabartë bëhet edhe përmes dhënies së hapësirës për përfaqësim të barabartë në media dhe financimi i fushatave të grave.

Përmes kësaj letre, RrGK i ka ftuar partitë që të kryejnë obligimin drejt fuqizimit të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, sidomos duke rritur numrin e pjesëmarrjes së grave të margjinalizuara në procese politike në nivel lokal.