Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon përfaqësim të grave në dialogun me Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës.

Në komunikatën e dërguar nga presidenca bëhet e ditur se përfaqësueset e këtij Rrjeti i kanë dhënë mbështetje punës së deritashme të presidentes Osmani, duke e vlerësuar angazhimin e saj për fuqizimin e pozitës së grave dhe duke e konsideruar rolin e saj të domosdoshëm në përpjekjet për gjithpërfshirjen e grave në të gjitha proceset.

RrGK-ja ka kërkuar mbështetjen e Osmanit për ndryshimet në Ligjin zgjedhor.

“Ato kërkuan që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të jetë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, për të cilën gjë kanë marrë mbështetjen e Presidentes”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, RrGK-ja ka shtruar nevojën e përfaqësimit të grave edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

Presidentja Osmani, ndërkaq, ka theksuar se përgjatë mandatit të saj, çështja e barazisë gjinore është një nga prioritetet e saj së bashku me të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, sikurse edhe me agjendën e gjelbër.