Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon heqjen e taksave për produktet menstruale

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes disa rekomandimeve ka kërkuar heqjen e taksave për produktet menstruale.

Për të avokuar për këtë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, do të dërgojë te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. 

Sipas Rrjetit, produktet menstruale në Kosovë barazohen me tatimin e produkteve të luksit, për  18% të vlerës së tyre. Përveç kësaj, kanë kërkuar heqjen e taksës mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike, që sipas RrGK-së, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila do të zvogëlonte çmimin e tyre. 

“Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm,” shkruan në njoftimin e tyre.

Përmes kësaj fushatë po tentohet të vihet në debat publik fakti që  menaxhimi i higjienës menstruale është e drejtë themelore e njeriut, dhe nuk duhet të të tatohen si të ishin produkte luksi.

Ky dokument fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Women, dhe paraqet arsyet pse Qeveria duhet të zvogëlojë apo të heqë krejtësisht taksat në produktet menstruale. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë.

Ndër rekomandimet kryesore është që Qeveria të ndryshojë Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi.

“Nëse heqja e tërësishme e taksës nuk është e mundur, atëherë gjithsesi kjo taksë duhet të zbritet në 8%, pasi që në këtë mënyrë do të zbritej çmimi e tyre pa u vërejtur aq në mbledhjen e të ardhurave shtetërore,” shkruan RrGK.

Heqja e taksave për produktet menstruale, apo edhe bërja e politikat peceta higjenike falas është debat në shumë shtete të botës.

Skocia është bërë vendi i parë që ka bërë falas produktet menstruale në objektet publike.