Greva e punëtoreve teknikë të Kuvendit të Kosovës më 16.09.2024. Foto:KALLXOc.com
Rrjeti i Grave të Kosovës i dërgon letër kryetarit të Kuvendit, kërkon zgjidhje urgjente për grevën e punëtoreve teknike
Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një letre dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme për grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.
RRGK ka kërkuar nga Kuvendi të ndërmerren hapa konkretë për të adresuar kërkesat e tyre.
“Ky ngërç neve na ka shqetësuar dhe zemëruar jashtëzakonisht shumë, duke e reflektuar një mosvlerësim të papranueshëm ndaj kontributit të tyre. Sot, po ju kërkojmë me urgjencë që, si institucion, të ndërmerrni hapa konkretë për të adresuar kërkesat e tyre dhe të gjeni një zgjidhje të menjëhershme për këtë situatë, sepse pa dyshim që një zgjidhje duhet të jetë”- thuhet në njoftim.
Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, kjo çështje kërkon vëmendje të menjëhershme dhe zgjidhje të përgjegjshme nga Konjufca si kryetar i këtij institucioni.
Që nga 16.09.2024, punëtoret e Kuvendit të Kosovës që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave të institucionit qendror dhe hapësirat e tjera, kanë rinisur grevën duke kërkuar rritje të pagave.
Të njëjtat protestuan edhe më 09.07.2024, megjithatë sipas tyre, kërkesat hasën në vesh të shurdhër.
Këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, më 18.09.2024, ka njoftuar se kabineti i kryeparlamentarit inkurajon stafin e mirëmbajtjes të vazhdojë kërkesat kundrejt operatorit ekonomik me të cilin kanë edhe marrëdhënie pune.
“Çështja e pagës është obligim i operatorit ekonomik si punëdhënës dhe stafit si punëmarrës. Pagesa apo mospagesa e kontributeve është ekskluzivisht obligim i Administratës Tatimore të Kosovës. Kurse Kuvendi i Republikës së Kosovës obligohet që para nënshkrimit të çdo kontrate të kërkojë dëshmi se aplikuesi është tatimpagues i rregullt”- ka thënë ai.
Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kishin protestuar në korrik që t’u rritet paga në rreth 500 euro.