ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Rrjeti i Grave të Kosovës: Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Një burrë dyshohet se e ka therur me thikë të bashkëshorten e tij të mërkurën në Skenderaj.

Në kërkesën e Prokurorisë së Mitrovicës për ta paraburgosur të dyshuarin F.R, thuhet se ky i dyshuar  të ka therur bashkëshorten e tij derisa ajo dhe fëmijët e tyre ishin në gjumë.

F.R dyshohet se në orët e hershme të mëngjesit me thikë kishte therrur gruan në gjoks, bark, duar dhe këmbë.

Sipas Prokurorisë, viktima ishte sulmuar rreth 20 herë.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas këtij rasti duke thënë sëe përderisa gratë po përjetojnë dhunë, drejtësia në gjumë.

“Çka pas këtij veprimi të institucioneve? Deri kur do të sillemi sikur dhuna ndaj grave është vetëm një lajm më shumë?  Çfarë drejtësie e pret këtë grua?Nuk do të jetë drejtësia e Donjeta Pajazitajt, Valbona Marku – Nrecajt dhe vajzës së saj të mitur, apo drejtësia e së ndjerës S.M që në korrik të këtij viti u vra nga burri i saj në Kamenicë” thuhet në reagimin e RrGK-së.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes reagimit është zotuar se që do të ngrisin zërin për të kërkuar drejtësi gruan në fjalë, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar, plagosur e të vrarë.

Sipas tyre, hulumtimi i RrGK-së “Nga fjalët në vepra” në vitin 2017  dëshmon për mos seriozitetin e institucioneve; Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave për ndëshkimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore.

“Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës” thuhet tutje në reagim.

RrGK ka thënë se  do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore që dorasi të marrë dënimin më të lartë.

Tutje, thuhet se ato nuk do të ndalen derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm apo si diçka e mbyllur dhe private.

Vetëm në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë janë raportuar 1 mijë e 3 raste të dhunës në familje.