Rrjeti i Grave kërkon drejtësi e veprim urgjent për rastin e dhunimit të vajzës në Prishtinë
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar drejtësi dhe veprim të menjëhershëm lidhur me dhunimin e një vajze në Prishtinë, rast i cili po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.
“Rrjeti i Grave të Kosovës është thellësisht e indinjuar nga rasti i tmerrshëm ku një e mitur dyshohet se është dhunuar nga pesë persona. Kjo ngjarje tronditëse, sipas mediave lokale, përfshin drogimin dhe më pas dhunimin e të miturës nga pesë persona” – thuhet në reagim.
RrGK i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri dhe urgjencë, duke siguruar hetime të hollësishme dhe të shpejta për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndëshkimin maksimal të kryerësve, në përputhje me ligjin.
“Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim i qartë për të gjithë, se dhuna ndaj të miturve nuk do të tolerohet kurrsesi, sikurse asnjë formë tjetër e dhunës” – thuhet në njoftim.
Rrjeti po ashtu ka kërkuar që institucionet të tregojnë ndjeshmëri të lartë ndaj viktimës e t’i ofrojnë mbështetje të plotë asaj dhe familjes së saj.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se bashkë me prokurorinë janë duke bërë hetime intensive për këtë rast.
“Lidhur me rastin e lartcekur Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente është duke bërë hetime intensive. Me vendim të prokurorit viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor”- thuhet në raportin policor të publikuar më 04.11.2024.
Sipas raportit, rasti ka ndodhur më 03.11.2024, në orën 1 pas mesnatës.
KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nëse ka të dyshuarë apo të arrestuar për këtë rast, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk është marrë asnjë përgjigje.
Policia dhe Prokuroria po hetojnë rastin e dhunimit të një vajze në Prishtinë