Rrjeti i Grave Gazetare kërkon të ndërpritet transmetimi i Big Brother deri në largimin e të denoncuarit për dhunë në familje

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës kanë dorëzuar ankesë në Komisionin e Pavarur i Mediave pas futjes në Big Brother Vip Kosova të Atilla Kardesh, i denoncuar si i dyshuar për dhunë në familje në Policinë e Kosovës.

“Sot dorëzuam ankesën/kërkesën te Komisioni i Pavarur i Mediave lidhur me shqetësimet e ngritura për përmbajtjen problematike të programit Big Brother VIP, të transmetuar nga Klan Kosova” – tha Rrjeti i Grave Gazetare.

Në letrën që iu dërgua KPM-së u shpreh shqetësimi që ka Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës lidhur me situatën e fundit në programin Big Brother VIP, të transmetuar nga Klan Kosova.

“Një nga pjesëmarrëset e këtij programi është e mbijetuar e dhunës në familje dhe ka bërë denoncim publik të rastit të saj. Megjithatë, përkundër këtij denoncimi, ish-bashkëshorti i saj është futur në shtëpinë e Big Brother-it, duke e vendosur atë në një situatë ku duhet të jetojë 24/7 në afërsi të personit që ka ushtruar dhunë ndaj saj” – u tha në këtë letër.

Rrjeti i Grave Gazetare kërkoi nga KPM që të ndërpresë menjëherë transmetimin e Big Brother VIP Kosova derisa, sipas tyre, personi i akuzuar për dhunë në familje të largohet nga ky format televiziv.

“Respektimi i kodit etik është thelbësor për të garantuar që programet televizive në Kosovë të ofrojnë përmbajtje të përgjegjshme që respekton të drejtat dhe mirëqenien e individëve, në veçanti të mbijetuarve të dhunës” – theksohet në këtë letër.

Tutje u shtua se vendimi i Klan Kosovës për të lejuar një përballje të tillë në këtë format mediatik krijon një precedent të rrezikshëm për të drejtat e njeriut dhe promovon dhunën si formë spektakli, e cila u vlerësua se është një praktikë e papranueshme, e dëmshme dhe e dënueshme në çdo shoqëri.

Rrjeti i Grave Gazetare tha se KPM ka të drejtën të ndalojë menjëherë transmetimin e një emisioni nëse vlerëson se ai përbën rrezik për sigurinë publike, moralin, rendin publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.

“Kjo rrethanë është thellësisht shqetësuese, pasi ekspozon të mbijetuarën ndaj një situate të pasigurt dhe mund të çojë në traumë të mëtejshme, duke përçuar një mesazh të rrezikshëm për publikun dhe normalizuar dhunën në marrëdhëniet intime dhe familjare. Në shoqëritë patriarkale si e jona, ku dhuna shpesh shihet si çështje private, ky zhvillim vetëm sa e përforcon këtë perceptim” – u shtua tutje.

Sipas Rrjetit, të mbijetuarit/at e dhunës meritojnë mbrojtje dhe mbështetje të vazhdueshme duke thënë se besojnë që mbrojtja e të drejtave të tyre dhe promovimi i përmbajtjeve të përgjegjshme janë përfitime për të gjithë shoqërinë, përtej logjikës së profitit.

“Presim nga Komisioni i Pavarur i Mediave që të marrë masa për të shqyrtuar këtë rast me seriozitet dhe të mbikëqyrë respektimin e etikës profesionale në këtë program dhe në çdo përmbajtje tjetër televizive, veçanërisht në rastet që përfshijnë dhunë. Ky program vazhdimisht promovon shembuj të dhunës, ngacmimeve seksuale dhe diskurse jashtëzakonisht seksiste dhe homofobike, duke ndikuar negativisht në shoqëri dhe duke përforcuar stereotipe të dëmshme. Pas largimit të personit në fjalë, është thelbësore që ky format televiziv të mbikëqyret me kujdes dhe të rishikohet në përputhje me standardet etike për të garantuar që përmbajtja e ofruar është edukative dhe e respektueshme ndaj të gjitha grupeve të shoqërisë” – u vazhdua tutje.

Edhe Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, ka njoftuar se ka parashtruar ankesë në Komisionin e Pavarur për Media kundër emisionit Big Brother dhe Klan Kosova.

Juristja e të drejtës së medias tha se kërkoi nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nenit 3 të Kodit të Etikës së për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar Klan Kosovën për të marr një qëndrim pas ankesës së parashtruar në KPM, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marr një përgjigje.

Po ashtu është kontaktuar edhe Komisioni i Pavarur i Mediave, nga të cilët po ashtu është duke u pritur përgjigje.

Reagime të shumta janë bërë nga organizata e individ të ndryshëm lidhur me futjen e Atilla Kardesh në Big Brother.

Mëngjesin e sotëm, më 05.11.2024, organizata jo qeveritare “Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA” ka zhvilluar një aksion para objekteve të televizionit Klan Kosova.

“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave” – ka qenë thirrja e “QIKA”.

Pas këtij aksioni ka reaguar Klan Kosova duke e cilësuar këtë veprim si “sulm huligan“.

“Klan Kosova dënon ashpër çdo veprim të tillë huliganizmi ndaj çdo institucioni apo subjekti, andaj apelon tek organet e rendit që kryerësit e akteve të tilla, të përgjigjen para drejtësisë” – tha Klan Kosova.

Një reagim është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.

“Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një shoë në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë” – u tha në reagimin e RrGK-së.

Tutje sipas Rrjetit të Grave, të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por sipas kësaj organizate dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit” – theksohet më tej.

Gjithashtu u shtua se dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.

Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë, më 04.11.2024, pak pas mesnatës ka zhvilluar një aksion me grafite në muret e ambienteve të televizionit Klan Kosova.

“Klani dhunon gratë”, “Bojkoto Klanin”, janë disa nga mbishkrimet.

Atilla Kardesh është ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, e cila që nga fillimi i këtij edicioni të “Big Brother Vip Kosova”  ka qenë banore e shtëpisë.

Latifi kishte denoncuar Kardesh për dhunë ndaj saj, duke treguar edhe publikisht që gjatë kohës sa ka qenë e martuar me këtë të fundit ka pësuar dhunë fizike nga ai.