Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve dënon sulmin ndaj gazetares kroate

Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve është solidarizuar me gazetaren dhe regjisoren e Faktograf në Kroaci, Melita Vrsaljkos duke dënuar sulmin e fundit ndaj saj.

Gazetarja Melita Vrsaljko e Faktograf dhe Portalit Klimatik të Faktograf, u sulmua fizikisht teksa po punonte për një dokumentar që do të jetë bashkëprodhues i Portalit Klimatik.

Ana Brakus, bashkëthemeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Faktograf, ka thënë se gazetarët e shtëpisë së saj mediatike, u janë nënshtruar vazhdimisht ngacmimeve dhe sulmeve, megjithatë ky sulm fizik ndaj Melita Vrsaljkos shënon një përshkallëzim të paprecedentë dhe të tmerrshëm të dhunës.

“Ajo është një gazetare dhe regjisore e vlerësuar me çmime, një punëtore e palodhur dhe e ndershme, plotësisht e përkushtuar për t’i ofruar publikut një gazetari sa më cilësore. Faktograf do t’i ofrojë Melitës mbështetjen tonë me gjithë zemër dhe ju bëjmë thirrje që të bashkoheni me ne në dënimin e këtij akti të tmerrshëm” – tha Ana Brakus, shkruan European Fact-Checking Standards Network (EFCSN).

EFCSN tha se mjerisht, ky incident është pjesë e një tendence alarmante kërcënimesh dhe ngacmimesh drejtuar kontrolluesve të fakteve në mbarë botën.

“Në Kroaci, Faktograf është përballur me kërcënime dhe ngacmime të tilla në të kaluarën, por asnjëherë me dhunë fizike, që është pjesë e asaj që e bën këtë incident kaq shqetësues”- thuhet në reagimin e EFCSN.

Sipas rrjetit të vërtetuesve të fakteve, është e domosdoshme që ta trajtojmë këtë çështje me seriozitetin që meriton, pasiqë kontrolluesit e fakteve luajnë një rol kritik në mbrojtjen e diskursit publik dhe sigurimin që qytetarët të informohen me informacion të saktë.

Melita Vrsaljko, gazetare e Faktograf.hr dhe Portalit Klima, është sulmuar fizikisht teksa punonte në fshatin Nadin afër Zarës.

Sipas Faktograf, fillimisht, një i moshuar e sulmoi atë në pronën publike në Nadin, ndërsa ajo po kalonte pranë një deponie të paligjshme me një kameraman që punonte për zhvillimin e një filmi dokumentar në të cilin është përfshirë edhe Portali i Klimës.

Më vonë ajo u sulmua sërish, këtë herë në shtëpinë e saj, po në Nadin. Vajza e sulmuesit, pasi Vrsaljko hapi derën e hyrjes, filloi ta godiste dhe tentoi t’i merrte celularin.

“Procedurat policore konstatuan se një grua 36-vjeçare ka ardhur në adresën e viktimës, ku e ka sulmuar verbalisht dhe më pas fizikisht, duke i hedhur celularin nga dora në tokë”- njoftoi Departamenti i Policisë së Zarës.

Të dy sulmuesit janë të lidhur me Dario Vrsaljko, një këshilltar qarku i HDZ-së në Asamblenë e Qarkut Zadar, ata janë babai dhe motra e tij.

“Edhe pse kanë një mbiemër dhe janë të afërm të largët, Melita Vrsaljko nuk ka asnjë kontakt personal me personat që e sulmuan. Motivi i sulmit është puna e saj gazetareske, konkretisht përpjekja e saj për të dokumentuar vendndodhjen e deponisë së krijuar në tokën e përdorur nga kjo familje”- thuhet në njoftimin e Faktograf.

Ndër të tjera, Melita Vrsaljko e ka përshkruar të gjithë ngjarjen në profilin e saj në Facebook:

“Dje Iva Periq më sulmoi fizikisht në shtëpinë time. Ajo është vajza e burrit që më sulmoi fizikisht një ditë më parë teksa po kaloja pranë tokës së tij ku po fillonin të grumbulloheshin mbeturina”- ka shkruar ajo.

Vrsaljko ka thënë se babai i saj ka dashur të parandalojë një skenar në të cilin kameramani ndez kamerën dhe xhiron atë që mund të regjistrohet nga prona publike pasi trualli i tij duket nga rruga dhe ndodhet në mes të fshatit.

“Ai papritmas vrapoi drejt nesh, na kërcënoi me dhunë dhe na thyente pajisjet (as kamera nuk ishte ndezur), duke pretenduar se ishte veteran lufte. Më pas më ka sulmuar fizikisht në pronë publike dhe në vetëmbrojtje jam detyruar ta godas me shkelma për t’u çliruar”- ka shtuar ajo.

Më pas, gazetarja ka treguar se vajza e tij shkoi në derën e saj në shtëpi duke ia rrëmbyer telefonin dhe duke e goditur e shkulur flokët deri në pikën sa t’i nxirrte disa prej flokëve.

”Në vetëmbrojtje (përsëri), u detyrova t’i kafshoja dorën derisa të rrjedh gjak që të mos më mbyste, ta shtynte, të më merrte telefonin dhe të thërriste policinë”- tha ajo, duke shtuar se tani puna i takon Prokurorit të Shtetit.

Ndërkaq, për sulmuesit, gazetarja  tha se ajo është donatore e partisë në pushtet dhe motra e një anëtari të njohur lokal të HDZ-së.

Faktograf ka njoftuar se avokatja e Melitës dhe Shoqatës Faktograf, Vanja Juriq, ka paraqitur ankesë në Prokurorinë e Shtetit.

Sipas Juriq, faktet janë se një gazetare, pa asnjë të metë në karrierën e saj, u sulmua dy herë fizikisht teksa bënte punën e saj nga anëtarët e së njëjtës familje – pikërisht sepse u përpoq të bënte punën e saj.

‘Ndonëse ka dëshmitarë dhe video incizime, policia, me sa dihet, i ka cilësuar keq këto sulme si shkelje të rendit dhe qetësisë publike, në të cilat dyshohet se ka marrë pjesë në mënyrë të barabartë edhe vetë viktima. Nisur nga dispozitat e Kodit Penal dhe fakti që policia nuk ka ndërmarrë veprimet që mund dhe duhet të ketë për të mbrojtur gazetaren Vrsaljko, unë në emër të saj do të paraqes ankesa dhe propozime drejtpërdrejt pranë Prokurorisë së Shtetit për ndjekjen penale të autorët”- shtoi avokatja Vanja Juriq, shkruan Faktograf.