Arkiv

Rrjedhja e pyetjeve të testit të arritshmërisë në rrjete sociale, flasin nga Ministria e Arsimit

Gjatë ditës së sotme është mbajtur testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta, të cilët më pas do të vijojnë mësimet në shkolla të mesme të larta varësisht nga pikët që grumbullojnë në testin që kanë mbajtur sot.

KALLXO.com ka raportuar sot se si pyetjet e testit të arritshmërisë janë publikuar edhe në disa grupe të hapura në rrjete sociale, ku nxënësit kanë fotografuar pyetjet dhe kanë kërkuar përgjigjet e tyre.

Në lidhje me procesin e testimit dhe identifikimin e grupeve ku janë shpërndarë pyetjet, KALLXO.com ka kontaktuar me Shefin e Divizionit për vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi.

Elezi ka treguar se cilat masa janë ndërmarrë ndaj nxënësve që janë identifikuar se kanë përdorur telefonat gjatë procesit të testimit.

“Gjatë testit ka pasur nxënës që kanë fotografuar testin dhe e ka publikuar në rrjete sociale, nxënësit që kanë vepruar kështu janë përjashtuar nga testi. Nuk kemi ende të dhëna të detajuara por janë identifikuar raste”, thotë Elezi për KALLXO.com.

Tutje ai ka shtuar se ka pasur raste kur janë lajmëruar në polici krijuesit e faqeve në rrjete sociale të cilët kanë lejuar shpërndarjen e testit të arritshmërisë.

“Ne shpesh i kemi paraqitur edhe në polici krijuesit apo adminat e faqeve, përveç masave që ka ndërmarrë administratori ne e bëjmë edhe identifikimin e atyre faqeve dhe shikojmë se cilët nxënës kanë përgjigjet e njëjta me qasjen që ju është dhënë në ato rrjete sociale. Shumë pak nxënës ka që mund të përdorin të njëjtat faqe”, tregon tutje Elezi derisa thotë se ende nuk kanë arritur që të bëjnë zbulimin e faqeve të cilat janë hapur për testin e arritshmërisë që u mbajt sot për klasat e 9.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në MASHTI, Fatmir Elezi, tregon edhe se për të zbuluar qëllimin e faqeve që krijohen në situata të tilla duhet të punojë Policia e Kosovës.

“Sa i përket testit të arritshmërisë së këtij viti, ende nuk kemi paraqitur ndonjë rast në polici ,por krijuesit e faqeve lajmërohen në polici dhe është pjesë e hetuesisë që të zbuloj se kush i ka krijuar këto faqe dhe për çfarë qëllimesh i përdorin.  Ende nuk jemi marrë me zbulimin e këtyre faqeve. Të hënën pritet të marrim raport më të detajuar dhe më të kompletuar sa i përket testit që është mbajtur sot”, shton Elezi.

Në përgjithësi Elezi thotë se procesi i testimit të arritshmërisë ka shkuar në rregull.

MASHTI ka identifikuar dy raste kur për shkak të administratorëve në dy komuna testi është shtyrë për 30 minuta.

“Sipas raporteve të komisionevrëve procesi ka shkuar në rregull dhe testi ka filluar me kohë përveç dy vendeve një në Ferizaj dhe një në Lipjan administratorët nuk janë paraqitur me kohë dhe fillimi i testit është dashur të shtyhet për 30 minuta”, përfundoi Elezi.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar edhe herët e kaluara për publikimin e testeve të arritshmërisë në rrjete sociale.

Testi i Arritshmërisë shpërndahet në rrjete sociale