Rritje e madhe e shitjes së librave që Kurti i dhuroi Borellit e u refuzuan nga Vuçiq
Ndjeshëm, paparashikueshëm dhe si asnjëherë më parë, është rritur interesimi i qytetarëve për dy librat që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e bëri publike se i ka dhuruar shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Librat “Muhaxhirët – Dosja Britanike” dhe “Unë dua të dëgjohem” e po ashtu lista me emrat e 1,133 fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, Borrelli i mori nga Kurti, porse të njëjtat nuk deshi t’i marrë me vete në Beograd presidenti i Serbisë Vuçiq.
Episodi ndodhi në takimin e 19 korrikut mes Kurtit dhe Vuçiqit, mbajtur në Bruksel e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kurti, nuk kishte shkuar duar bosh në takimin e thirrur nga nikoqiri Borell.
Ai me vete morri edhe dy libra; “Muhaxhirët – Dosja Britanike”, “Unë dua të dëgjohem” dhe po ashtu listën me emrat e 1,133 fëmijëve të vrarë në luftën e Kosovës, si dhuratë për presidentin e Serbisë dhe për shefin për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Mirëpo, i vetmi që ato dhurata i pranoi, ishte politikani evropian, Borell.
Publikimi i titujve të këtyre librave nga Kurti, pati efekt të menjëhershëm brenda Kosovës. Ato, nisën të shiteshin si rrallë herë. Që nga 19 korriku, veçmas për librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike”, interesimi është rritur dukshëm.
Brenda dy ditëve, 19 – 21 korrik, në Librarinë ‘Artini’ thonë të kenë shitur afër 70 kopje të këtij libri.
“I kemi shitur afro 70 copë libra “Muhaxhirët – Dosja Britanike”, libër ky i botuar më 2019 për herë të parë (kuptohet, këtu përfshihen edhe shpërndarja nëpër librari të cilat po e kërkojnë këtë libër)”, tha për KALLXO.com Artin Ahmeti, pronar i librarisë.
Ai thotë se gjithë sasinë e këtij libri që kishin në stok, e kanë shitur, dhe tashmë kanë filluar furnizimin me ekzemplarë të rijnë. Njëjtë ka ndodhur edhe për Librarinë “Dija”.
“Duke pasur parasysh tematikën e librit, është shitur vazhdimisht, por pas datës 19 korrik, interesimi është rritur dukshëm, për çfarë na është dashur të bëjmë furnizime shtesë nga botuesi”, kanë thënë për KALLXO.com pronari Lavdim Lepaja.
Trendi i njëjtë është përcjellë edhe në Librarinë “Dukagjini”. Aty thonë se gjatë ditës së djeshme, 21 korrik 2021, kanë pranuar kërkesa dhe pyetje më shumë se zakonisht për këtë libër. Madje dhe furnizimi ka qenë në sasi më të madhe.
“Jemi furnizuar me një sasi më të madhe se zakonisht që të jemi të gatshëm për kërkesat e klientëve për ditët në vazhdim”, thotë Ilirjana Hasani, koordinatore në këtë librari.
Florim Beqiri, që shet libra tash e disa vite në sheshin e Prishtinës në “Zahir Pajaziti”, thotë se kishte klientin e parë që i kërkoi këtë libër.
“Klienti foli se po ia jep dikujt librin dhuratë, për shkak se Albin Kurti ia paska dhuru Vuçiqit këtë libër. Kjo çfarë bëri Kurti është diçka e mirë, madje edhe marketing për librin”, thotë Beqiri.
Dy librat që Kurtit nuk ia pranoi presidenti serb, “Unë dua të dëgjohem” është përmbledhje e rrëfimeve të grave të dhunuara në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe “Muhaxhirët – Dosja Britanike”, me autor Bejtullah Destani, libër që flet për spastrimin etnik të shqiptarëve në Toplicë, Nish, Prokuplë, Kurshumlisë, Leskovci, Vranjë gjatë viteve 1878 – 1884.
Në të tri libraritë, çmimi i librit “Muhaxhirët – Dosja Britanike” ishte 15 euro. Ndërsa, promovimi i tij në rrjete sociale ka ndikuar edhe më shumë në shitjen e tij.
Derisa libri i autorit Destani, gjendet lehtësisht nëpër libraritë e Kosovës, e njëjta nuk ndodh me librin “Unë dua të dëgjohem”, i cili mund të gjendet dhe merret edhe falas në internet. Ky libër, përmbledhë rrëfime ekskluzive, tepër të rënda të përjetimeve të shumë grave të dhunuara e torturuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Atë mund ta shkarkoni edhe duke klikuar në këtë LINK.
Ndryshe, Kurti në takimin me Vuçiq, i kishte ofruar atij edhe listën me emrat e 1,133 fëmijëve të vrarë e të zhdukur në luftën e Kosovës, listë kjo e cila është bërë publike dhe është përmbledhur nga iniciativa e Organizatave Joqeveritare në Kosovë, për të dëshmuar mbi terrorin serb të ushtruar mbi qytetarët shqiptar të Kosovës. Sikur edhe dy librat, edhe lista e fëmijëve, nuk është pranuar nga Vuçiq.