Rritje dramatike e virusit në Gjermani, 50,000 raste brenda 24 orëve 

Një nga virologët kryesorë të Gjermanisë ka paralajmëruar se një tjetër bllokadë do të ishte e nevojshme nëse vaksinimet nuk përshpejtohen. Gjermania ka regjistruar më shumë se 50,000 raste të koronavirusit në një ditë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.

Sipas Institutit të Mbikëqyrjes Shëndetësore Robert Koch, ka pasur 50,196 raste shtesë me COVID-19 në 24 orët e fundit, si dhe 235 vdekje.

Gjermania është në mesin e një numri vendesh evropiane që po përballen me një rritje të re të rasteve dhe ka regjistruar numër rekord të infeksioneve gjatë ditëve të fundit.

Kancelarja në largim Angela Merkel e quajti të mërkurën rishfaqjen e madhe të infeksioneve në Gjermani si “dramatike”.

“Pandemia po përhapet sërish në mënyrë dramatike”, tha zëdhënësi i saj, duke u bërë thirrje autoriteteve shëndetësore rajonale të marrin masa të mëtejshme për të përmirësuar situatën.

Rritet presioni edhe në pavijonet e spitaleve.

Disa spitale kanë thënë ditët e fundit se po punojnë sërish në limtet e tyre dhe i kanë Njësitë e kujdesit intensiv aq të mbushura me pacientë COVID-19 sa nuk mund të pranojnë pacientë të rinj.

“Ne kemi një situatë të vërtetë urgjente tani”, tha në fillim të kësaj jave Christian Drosten, udhëheqësi i departamentit të virologjisë në Spitalin Charite të Berlinit.

Përhapja i atribuohet pjesërisht shkallës relativisht të ulët të vaksinimit të popullsisë në Gjermani, në pak më shumë se 67 për qind.

Disa shtete veçanërisht të prekura, si Saksonia, Bavaria dhe së fundmi Berlini, kanë vendosur kufizime të reja që kanë si synim njerëzit e pavaksinuar.

Nga e hëna, Berlini nuk do t’u lejojë personave të pavaksinuar qasje në restorante pa tarraca, bare, palestra dhe parukeri.

Një test negativ nuk do të lejojë më qasje në këto vende publike nëse përdoruesit nuk janë të vaksinuar ose nuk mund ta dëshmojnë se janë shëruar nga sëmundja.

Në total, janë pothuajse 4.9 milionë njerëz janë infektuar në Gjermani që nga fillimi i pandemisë.

Linku: https://www.euronews.com/2021/11/11/germany-records-50-000-covid-19-cases-in-dramatic-virus-surge