Bankomat - Foto: REL/Reuters

Rritja minimale e rrogave në sektorin privat, vetëm 31 euro për 6 vjet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për “Nivelin e Pagave në Kosovë për periudhën 2012-2018”. 

Ky publikim përmban të dhëna për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në sektorin publik, sektorin privat dhe ndërmarrjet publike në Kosovë.

Sipas ASK-së, në vitin 2012 pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 431 euro, derisa në vitin 2018 ishin 558 euro, një rritje prej 127 euro ose 29.6%.

Ndërsa, paga neto nga 384 euro sa ishte në vitin 2012 është rritur në 498 euro në vitin 2018, me 114 euro më shumë, ose 29.8%.

Më tej në të dhënat e ASK-së thuhet se paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 euro, që është një rritje për 166 euro ose 40.8%.

Kurse, paga mesatare neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 509 euro, një rritje prej 156 eurosh ose 44.1%.

Ndërsa sipas të dhënave të ASK-së, sektori privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 euro, një rritje prej 34 eurosh ose 9.3%. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 euro, një rritje prej 31 eurosh, ose 9.3 %. 

Paga mesatare bruto në seektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 518 euro, derisa në vitin 2018 ishte 699 euro, që është një rritje prej 181 eurosh ose 34.9%. Ndërkaq, paga neto nga 465 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 620 euro në vitin 2018, një rritje prej 155 eurosh ose 33.3%.

Sipas ASK-së, niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte te sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte në sektorin privat.  

Paga mesatare bruto në vitin 2018 sipas aktiviteteve ekonomike më e lartë ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (843 euro); informimi dhe komunikimi (717 euro); xehetaria dhe gurëthyesit (639 euro); derisa paga më e ulët ishte te bujqësia, pylltaria dhe peshkataria (256 euro).

Paga mesatare neto në vitin 2018 sipas aktiviteteve ekonomike ka të njëjtën renditje: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (743 euro); informimi dhe komunikimi (635 euro); xehetaria dhe gurëthyesit (569 euro); derisa paga më e ulët ishte te bujqësia, pylltaria dhe peshkataria (237 euro).

Analizën e ASK-së për nivelin e pagave në Kosovë nga viti 2012 deri në vitin 2018 mund ta lexoni KËTU.