Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Rritja e rasteve me COVID-19, Komuna e Gjakovës shtrëngon masat

Komuna e Gjakovës dje ka shënuar 13 raste të reja të infektimit me COVID-19, përderisa në nivel vendi janë shënuar 205 raste të reja.

Rritja e rasteve pozitive me coronavirus ka bërë që kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, të marrë masa të reja për parandalimin e përhapjes së infeksionit në këtë komunë.

Gjini ka reduktuar punët nëpër institucionet komunale, kështu duke ndaluar të gjitha takimet fizike, palët nga jashtë do të mund të adresohen vetëm përmes mënyrave elektronike.

Vendimet e Kryetarit, Ardian Gjini:

– Ndalohen te gjitha takimet fizike të administratës komunale me të gjitha palët e interesuara.

– Të gjitha kërkesat e palëve të jashtme, duhet të adresohen në mënyrë elektronike. Administrata komunale obligohet që të ju kthejë përgjigje qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara poashtu online.

– Shërbimi i tatimit në pronë dhe ai i ofiqarisë do të jenë të hapura për qytetarë, në përputhshëmëri me udhëzuesin për masat ndaj COVID-19.

– Qytetarët që hyjnë brenda objekteve të administratës së komunës, obligohen të jenë të pajisur me mjete mbrojtëse. Në të kundërtën nuk do t’iu lejohet hyrja brenda objekteve për të marrë shërbimet.

– Inspektorati i Komunës bashkë me Policinë e Kosovës duhet të vazhdojnë inspektimet rigoroze lidhur me respektimin e masave kundër virusit, në të gjitha institucionet publike, ato private si dhe në hapësira publike.

Këto masa do të fillojnë të zbatohen nga dita e nesërme.