
Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Rritja e rasteve me COVID-19, edhe Gjykata e Prishtinës redukton stafin
Gjykata e Prishtinës, ka njoftuar se kryetarja Afërdita Bytyçi, sot ka mbajtur takim me Trupën Menaxhuese të kësaj gjykate, të themeluar sipas Planit të Veprimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Menaxhimin e Krizave.
Në takim u diskutua lidhur me gjendjen e fundit të krijuar në gjykatë, pas konfirmimit të disa rasteve pozitive me virusin COVID 19.
Trupa Menaxhuese e kësaj gjykate, bazuar në rekomandimet e IKSHP-së dhe situatën e krijuar vendosi të reduktojë stafin administrativ dhe teknik.
Ndërsa seancat gjyqësore do të mbahen, duke vlerësuar vetë gjyqtarët nëse ekzistojnë kushtet për mbajtjen e tyre, duke pas parasysh numrin e pjesëmarrësve në seancë, mundësinë e mbajtjes së distancës fizike dhe kushtet tjera të përcaktuara në Planin Emergjent të aprovuar nga Këshilli Gjyqësor të Kosovës.
Deri më tani në Kosovë të infektuar me virusin COVID-19, janë 4100 persona, të shëruar 2063 ndërsa të vdekur janë 86.