
Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com
Rritja e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta, Murati: Këtë do ta kishim edhe pa Zgjedhje
Qeveria e Kosovës miratoi Vendimin për rritjen për 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit, derisa ministri i Financave Hekuran Murati para mediave u shpreh se kjo bëhet për shkak të rritjes ekonomike dhe jo Zgjedhjeve, që do mbahen më 09.02.2025.
“Vendimi për rritjen e pensioneve të këtyre kategorive është për shkak të rritjes ekonomike dhe buxhetit. Ka qëlluar që Zgjedhjet të mbahen në muajin shkurt, po të mbaheshin në ndonjë muaj tjetër, përsëri do të ishte ky cikël, për shkak se buxheti miratohet në muajin tetor të vitit të kaluar e ekzekutohet në janar të vitit pasues.” – deklaroi Murati pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 10.01.2025.
Ai, po ashtu, shtoi se rritje të tillë nuk ka pasur që nga viti 2014.
“Për herë të parë po bëhet ndryshimi apo rritja tash, pas më shumë se 10 vjetëve. Keni dëgjuar premtime të ngjashme e po dëgjoni edhe sot. Në dy mandatet e kaluara nuk ka pasur asnjë veprim, sa i përket këtyre kategorive e që do të ketë edhe në vijim – krahas rritjes ekonomike.” – shtoi më tej Ministri.
Murati ndau edhe disa detaje për rritjet që do bëhen në kategori të ndryshme.
“Janë disa kategori: familja që ka një dëshmor, pensioni ka qenë 448 euro, derisa do të rritet në 537 euro; familja që ka dhënë dy dëshmorë, pensioni ka qenë 537 euro, derisa do të rritet në 806 euro; familja me 3 dëshmorë do të marrë 1,075 euro; familja me katër dëshmorë ka qenë 627 euro, do të bëhet 1,344 euro dhe më shumë se katër dëshmorë do të bëhet 1,613 euro. Te kategoria për invalidët e luftës ka qenë 448 euro, për invalidin me dëmtim trupor prej 80%, derisa do të bëhet në 537 euro. E kështu me radhë do të rriten 20%, në krahasim me vlerën që kanë qenë.” – bëri të ditur Ministri.
Në mbledhjen e mbajtur më 10.01.2025, Qeveria e Kosovës aprovoi rritjen prej 20% të pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, për invalidët dhe familjet e invalidëve të UÇK-së, për familjet e viktimave civile dhe të zhdukurve civilë të luftës dhe shtesat për përkujdesje për invalidët e luftës (UÇK dhe civilë).
Derisa, ata që fitojnë mbi 20% janë familje që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur dhe viktima.
Një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, Qeveria rrit pensionet për kategoritë e dala nga lufta