Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritja e numrit të viktimave dhe të të infektuarve, LDK e gatshme për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka njoftuar se grupi parlamentar i LDK-së ka shprehur gatishmërinë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës pas gjendjes së krijuar si pasojë e rritjes së madhe të rasteve të vdekjeve dhe infektimeve nga COVID-19.

Gashi ka thënë se numri i rasteve të vdekjes, sasia e vaksinave në dispozicion dhe procesi i organizimit të vaksinimit kundër COVID-19, janë disa nga temat për diskutim në Kuvend.

“Numri rekord i rasteve të vdekjes dhe i atyre të infektuar, sasia e vaksinave në dispozicion dhe procesi i organizimit të vaksinimit të qytetarëve, si dhe situata e rënduar në sistemin shëndetësor, janë vetëm disa nga temat e domosdoshme për diskutim të menjëhershëm nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, ka shkruar deputeti në rrjetin social Facebook.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e kaluara u regjistruan edhe 1,894 raste të të infektuarve dhe 22 viktima.

Aktualisht, raste aktive në Kosovë janë 27,404.

Deri të mërkurën, në Kosovë janë dhënë mbi 841,000 vaksina kundër coronavirusit.