Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19, Gjilani rrit gjendjen e gatishmërisë

Komuna e Gjilanit gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me Komitetin Emergjent në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Me anë të një njoftimi, Komuna ka thënë se është ngritur në shkallën e dytë gjendja e gatishmërisë dhe intervenimit të emergjencave, për shkak të rritjes së rasteve pozitive ku vetëm dje u konfirmuan 20 raste me COVID-19.

Gjithashtu kryetari pas takimit ka thënë se janë duke pritur rezultatet e 111 mostrave të marra në dy ditët e fundit për COVID-19.

“Dje ishte e diela e zezë, ku kemi marrë rezultatet e 20 personave të cilët kanë dalë pozitivë nga testimi me Covid-19, prej mostrave të marra me 18 qershor. Infektimi është përmes kontaktit me persona që paraprakisht kanë dalë pozitivë dhe gjithashtu kemi identifikuar edhe kontaktet e tyre të fundit. Rezultatet e mostrave të marra me datën 19 dhe 20 qershor pritet të merren ditën e sotme, eventualisht nesër. Bëhet fjalë edhe për 111 mostra të marra, që pasqyrojnë kontaktet e të infektuarve të fundit në Komunën e Gjilanit”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Gjithashtu pas këtij takimi, kryetari Haziri ka dhënë detaje edhe për burimin e infektimit me COVID-19.

“Rikthimi u virusit në Gjilan ka ardhur nga kontakti i një qytetari që ka pasur kontakt me motrën e tij në Bujanoc. Kontakti i dytë është i punëtorit të shtetit që është infektuar në vendkalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, nga kolegu i tij polic dhe burimi është Kumanova. Burimi i tretë i infeksionit janë kontaktet e qytetarëve tonë që punojnë në Prishtinë, nga një bankë komerciale, nga një kompani private dhe kontaktet tjera janë nga institucionet publike”, ka thënë ai.

Kryetari Haziri, ka apeluar që mundësia e vetme e parandalimit të sëmundjes COVID-19 është përdorimi i masave mbrojtëse, maskave, dorezave, mbajtje të distancës etj., në të gjitha institucionet publike, sektorin e biznesit, institucionet shërbyese qofshin ato publike apo private dhe përkushtimi më i madh në higjienë.

Në rast që ka rritje të numrit edhe më tutje, kryetari Haziri ka thënë se rrezikohet që të rikthehet prapë izolimi.

“Rrezikojmë që të fusim në karantinë fshatrat, lagjet, vendbanimet apo edhe qytetin në përgjithësi si masë mbrojtëse, prandaj luten të gjithë qytetarët, kudo që gjendjen në shtëpi, familje apo punë që të jenë shumë të kujdesshëm dhe të përdorin masat mbrojtëse që të kemi sa më pak raste”, ka shtuar ai,

Përndryshe, deri më tani në komunën e Gjilanit janë bërë 1314 teste të realizuara për 101 ditë, që kanë rezultuar 139 raste me test pozitivë, prej të cilëve 71 janë shëruar plotësisht dhe iu kanë kthyer jetës normalisht, 66 raste janë aktive me infeksion, prej tyre 65 janë në vetizolim dhe një rast është në klinikën infektive në Prishtinë, dhe fatkeqësisht për këtë periudhë kohore kemi dy raste të vdekjeve, për shkak edhe problemeve sekondare.​