Rritja e çmimit të rrymës, rreth 100 ankesa në KESCO e 32 në ZRRE

Që nga 9 shkurti në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Për këto tarifa dhe paqartësi të tjera, qytetarët kanë deponuar ankesa në Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Nga 9 shkurti deri më sot, 21 mars 2022, KESCO ka pranuar rreth 100 ankesa nga qytetarët e Kosovës, për faturat me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEDS/KESCO, Viktor Buzhala, ka thënë për KALLXO.com se numri i përgjithshëm i ankesave nuk dallon nga ai i zakonshmi.

“Numri i ankesave nuk dallon nga ai i ankesave të zakonshme që kanë ndodhur çdo muaj. Sigurisht ato falë përkushtimit të kompanisë ndaj konsumatorëve ka rënie të madhe nga viti në vit, në krahasim me situaten e mëhershme. Sa i përket ankesave që kemi pranuar për tarifat e reja, ato janë rreth 100 nga 630 mijë konsumatorë. Pra , janë ankuar 0.016 për qind e konsumatorëve, ndërkohë 99.98 për qind e konsumatoreve nuk kanë pasë ankesë sa i perkët çështjes së tarifave të reja”, ka thënë Buzhala.

Ndërsa Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar 32 të tilla. Në një përgjigje për KALLXO.com, ZRRE-ja ka thënë se shumica e ankesave të pranuara kanë qenë në lidhje me paqartësitë me kalkulimin dhe përmbajtjen e shumës totale të faturës.

“Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në ZRRE për shumicën e këtyre ankesave ka dhënë sqarimet e nevojshme me kontakte të drejtpërdrejta me konsumator, kurse disa te tjera janë dërguar për shqyrtim nga ane e Furnizuesit (KESCO)”, ka thënë ZRRE-ja.

ZRRE ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat e vjetra.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

ZRrE-ja thotë se afati për përgjigje për ankesat e qytetarëve është 60 ditë.

“Afati për përgjigje për çdo ankesë te regjistruar ne bazën e shënimeve të ankesave është 60 ditë nga data e regjistrimit siç parashihet ne nenin 14 të Rregullës për Zgjidhjen e Ankesave dhe kontesteve në Sektorin e Energjisë”.

Në anën tjetër, sot Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar propozimin e themelimit të një komisioni hetimor parlamentar për të trajtuar çështjen e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ata besojnë që procesi i rritjes së çmimit të energjisë është shoqëruar më shumë parregullsi.

“Ky proces besojmë që është shoqëruar me shumë parregullsi dhe konsiderojmë që është e rëndësishme të themelojmë një komision hetimor që nxjerr në pah gjitha zhvillimet që kanë quar deri te ngritja e çmimit të energjisë elektrike. Nuk kemi pa që ka ndodh ngritja e pagave dhe nuk shohim që do të ndodh një gjë e tillë dhe rritja e çmimit të energjisë është e pa përballueshme”, ka thënë Tahiri.

E njëjta parti ka parashtruar edhe një padi në gjykatë, kundër ZRrE-së për çështjen e rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

PDK paditë ZRrE-në dhe inicion komision hetimor parlamentar