Sarandë, Shqipëri Foto: Pixabay

Rritja e çmimeve në Shqipëri, FMN-ja me disa sugjerime për qeverinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeron qeverisë shqiptare që të rrisë mbështetjen e shtresave në nevojë, përballë rritjes së çmimeve.

Në deklaratën e lëshuar në fund të misionit të ekspertëve të saj, FMN theksohet se “është e nevojshme të jepet më shumë mbështetje e drejtuar për shtresat në nevojë dhe për ata që janë më të ekspozuar për t’i mbrojtur nga inflacioni. Kjo duhet mundësuar brenda nivelit të shpenzimeve ekzistuese të buxhetit për vitin 2022 përmes rishpërndarjes”.

Ndërsa vëren se “autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj goditjes së fundit dhe disa prej masave mbështetëse të marra janë të mirëorientuara dhe të kufizuara në kohë”, Fmn sheh me vend zëvendësimin e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, “me mbështetje të mirëorientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve”.

Sipas ekspertëve të Fondit “buxheti i vitit 2022 (siҫ u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë. Prandaj, çdo e ardhur shtesë përtej ҫfarë parashikohet në buxhet, duhet kursyer për të rikrijuar hapësirat e nevojshme për ushtrimin e politikës fiskale.

Kjo, saktëson më tej deklarata e misionit të FMN-së, është shumë e rëndësishme, pasi kostot e financimit të jashtëm janë rritur ndjeshëm dhe mund të jenë për gjatë të larta. Sektori publik duhet të përgatitet të veprojë në kushte të jashtme më të shtrënguara”.

Ekspertët e Fondit vlerësojnë të drejtë vendimin e qeverisë shqiptare për të mos ulur përkohësisht taksat, si një mënyrë për të zbutur rritjen e çmimit, pasi sipas tyre një veprim i tillë do të sillte “përfitime në mënyrë të zhdrejtë atyre që janë më mirë ekonomikisht, mund të shtrembëronte sinjalet e çmimeve, dhe është e kushtueshme dhe e vështirë për t’u zhbërë”.

Nga ana tjetër, FMN rithekson “këshillën kundër një amnistie të mundshme fiskale, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në përmbushjen tatimore, si dhe rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe administrimin tatimor”.

Në kushtet kur çmimet e energjisë në tregjet botërore kanë kapur nivele të parregjistruara më parë, si dhe barrën e lartë financiare që ato përfaqësojnë mbi buxhetin e shtetit, për shkak të ruajtjes së pandryshuar të çmimit për klientët familjarë dhe bizneset e vogla, FMN sugjeron një rishikim të tarifave.

“Trazirat në tregjet energjetike globale kanë rënduar më tej barrën fiskale që vjen prej sektorit të energjisë elektrike dhe theksojnë nevojën urgjente për reforma vendimtare për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj, nevojiten ndryshime graduale të tarifave, të cilat duhet të shoqërohen me masa që mbrojnë shtresat e varfëra dhe në nevojë”.

Rritja e çmimeve është reflektuar një një rritje të shpejtë të inflacionit i cili sipas FMN-së “pritet të mbetet në nivele të larta gjatë muajve në vijim—nxitur nga çmimet e importit—përpara se të kthehet sërish brenda objektivit në fillim të vitit 2024, duke pasqyruar ndikimin e shtrëngimit të politikës monetare”.

Në një situatë të tillë, Fondi, nxit Bankën e Shqipërisë që të veprojë më shpejt me rritjen e normës së interesit.

“Për të frenuar trysnitë e brendshme inflacioniste dhe për të kthyer pritshmëritë për inflacionin sërish drejt objektivit, nevojiten rritje të mëtejshme të normës bazë të interesit. Kërkohet vigjilencë, pasi vonesa e tepruar në shtrëngimin e politikës monetare mund të kërkojë më vonë rritje më të larta të normës bazë për të kthyer inflacionin në objektiv”, thekson deklarata e misionit të FMN-së./VOA