Drenasi | Foto nga: Rron Gjinovci

Rritja drastike e rasteve me COVID-19 në Drenas, flet drejtori i Shëndetësisë

Numri i të prekurve nga COVID-19 është rritur dukshëm gjatë javëve të fundit në komunën e Drenasit.

Kjo komunë të dielën është radhitur e dyta për nga numri i të infektuarve, pas kryeqytetit.

16 rastet e reja pozitive me coronavirusin e ri të konfirmuara dje e kanë dërguar numrin në 71 në komunën në Drenasit.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Drenas, Arsim Haxhiu, në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se 52 raste janë aktive e që të infektuarit sipas tij, janë nga vendbanime të ndryshme të Drenasit, konkretisht nëpër fshatra.

Haxhiu njoftoi se 40 persona janë pa shenja klinike dhe janë në vetizolim kurse 12 të tjerë janë duke u trajtuar në QKUK. Gjithashtu ai bëri të ditur se 19 qytetarë janë shëruar.

“Ne vazhdimisht jemi në krye të detyrës, ku bashkë me Policinë po e monitorojmë situatën dhe po sigurojmë që masat të zbatohen në mënyre rigoroze. Por, sigurisht për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë po i bashkërendojmë veprimet me akterë tjerë relevant. Me bashkepunimin e mirë dhe disiplinën e qytetarëve në zbatim të rekomandimeve të IKSHP-se dhe institucioneve tjera shëndetësore, jemi në funksion të mbrojtjes dhe parandalimim të përhapjes së metutjeshme të infeksionit. Theksojmë këtu punën e madhe që po bëjnë stafi shëndetësor dhe inspektorët komunal për mbrojtjen dhe parandalimit të përhapjes së virusit”, tha ai.

Haxhiu ka deklaruar se aktualisht kanë mjaftueshëm kapacitete shëndetësore për të menaxhuar situatën.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kufizohet liria e lëvizjes nëpër disa qytete, kjo komunë thotë se situatën e kanë në kontroll.

“Mendoj që situata është në kontroll. Ajo çka i kërkojmë vazhdimisht qytetarëve është që të zbatojnë të gjitha masat e nivelit qendror dhe rekomandimet për mbrojtje nga virusi. Të mos dalin pa nevojë, te mbajnë masken dhe distancën fizike”, u përgjigj ai në pyetjen se a është e nevojshme të vendoset masa e kufizimit të lëvizjes edhe në Drenas.

Gjithashtu, sipas tij, vetëdijesimi i qytetarëve është rritur në një masë.

Drejtori në Komunën e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci ka bërë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduar nga institucionet e shëndetesisë.

“Qytetarët janë vetëdijesuar deri në një masë, po. Tashmë edhe shërbimet komunale mund të merren vetëm nëse janë të pajisjur me maskë. Një pjesë e madhe e qytetarëve janë vetëdijësuar qē maskat janë një nga format e parandalimit të infektimit me virus. Thirrja jonë në drejtim të qytetarëve mbetet e njejtë, mbani maskat, ruani distancën fizike, dezinfektim i vazhdueshëm i duarve”, ka thënë Haxhiu.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 ka arritur në 4.715, prej tyre 2.227 të shëruar dhe 101 viktima.