Rritet puna në miniera, bie në sektorit e furnizimit me ujë dhe trajtim të bërllokut

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, tetor-dhjetor, puna në industrinë minerare pati rritje në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Në anën tjetër, rënie pati në sektorin e furnizimi me ujë dhe atë të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave.

Në tre muajt e fundit të vitit 2020, në raport me tremujorin paraprak të të njëjtit vit, pati rritje në industrinë nxjerrëse dhe veprimtaritë tjera minerare.

“Në tremujorin e katër (TM4) 2020, krahasuar me tremujorin e tretë (TM3) 2020, ka pasur rritje në: sektorin  e industrisë nxjerrëse (B) me 98.71%; sektorin e furnizimit me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) me 31.54%; si dhe në sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) për 21.76%”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa ulje kishte në sektorin e industrisë përpunuese (C) për -13.16 për qind.

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e katërt 2020 me tremujorin e njëjtë të vitit 2019, ka pasur rritje në: sektorin e industrisë nxjerrëse (B) me 7.50 për qind; sektorin e furnizimit me rrymë, avull dhe ajër të kondicionuar (D) me 3.69 për qind dhe në sektorin e industrisë përpunuese (C) për 2.77 për qind.

Ulje pati në furnizimin me ujë dhe në trajtimin e mbeturinave.

“Ndërsa, ulje kishte në sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) për (-13.71%)”, thuhet në komunikatë.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e statistikave afatshkurtra të industrisë, duke paraqitur indeksin e vëllimit industrial për TM4 2020.

Sipas ASK-së, kjo anketë me të dhënat që ofron, synon ta paraqesë ecurinë në industri: B – Nxjerrëse, C – Përpunuese, D – Furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, dhe E – Furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave, në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.

Ndryshe, punëtorët e “Trepçës”, ballafaqohen me vonesa në pagat e tyre. Së fundmi, KALLXO.com raportoi se mbi 700 minatorë në Stan Tërgut dhe në Artanë kanë hyrë në grevë të përgjithshme. Shkak, mosmarrja e pagave për muajt janar dhe shkurt.

Për më shumë lidhur me raportimet e KALLXO.com për ndërmarrjen “Trepça”, kliko këtu.