Trupat e KFOR-it në veri një ditë pas shpërthimit në Ibër Lepenc, 30.11.2024. Foto: Adelina Ahmeti
Rritet prania e trupave të KFOR-it në veri
Dhjetëra vetura të KFOR-it po monitorojnë situatën në veri, të pozicionuara rreth 1 kilometër larg vendit ku ka ndodhur shpërthimi në Zubin Potok. Trupat janë vendosur tash e disa orë, përderisa prezenca e tyre në atë pikë po shtohet në vazhdimësi.
Gazetarja Adelina Ahmeti që po raporton nga vendi i ngjarjes thotë se janë parë makineri normale me të cilat ata zhvillojnë veprimtarinë e tyre, si dhe disa kamionë që ata i kanë pozicionuar në mes të stacionit policor në Zubin Potok dhe në pjesën e Zupçit.
Numri i pjesëtarëve të KFOR-it është jashtëzakonisht i lartë. Një pjesëmarrje kaq e lartë e tyre nuk është parë që prej kohës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
Për shkak të vizitave të parapara nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës është rritur edhe numri i zyrtarëve policorë nga Njësia speciale dhe ajo e reagimit të shpejtë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe shefi i Inteligjencës së Kosovës, Petrit Ajeti, nën përcjellën e forcave elite të Policisë së Kosovës.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ky shpërthim ka shkaktuar probleme në furnizim me ujë dhe rrymë në Kosovë.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit