Rritet përsëri çmimi i naftës, një litër deri në 1 euro e 73 cent

Çmimi i naftës në disa pika të karburanteve ka kapur çmimin deri në 1 euro e 73 cent për litër.

KALLXO.com ka vizituar disa nga pompat e derivateve ku ka konfirmuar se çmimi për një litër naftë lëvizë deri në 1 euro e 73 cent.

Nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës kanë thënë se janë vet kompanitë ato që vendosin për çmimin e naftës.

“Çmimi real në tregun e Kosovës është 1.67 ose 1.68 disel, benzina 1.40. Por, çmimin e përcakton çdo kompani siç dëshiron, qytetari ka mundësi të furnizohet me çmimin më të lirë që është në treg se ka pika të cilat i kanë më të lira e disa më shtrenjtë”, ka thënë kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani.

Dje gjatë ditës është njoftuar se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur një paketë të re sanksionesh që përfshin një ndalim të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit.

Për këtë Berjani ka thënë se nuk paraqet problem për Kosovës, pasi Kosova nuk furnizohet me naftë nga Rusia.

“Problem Kosova nuk mund të ketë aspak sa i parket embargos nga Rusia, sepse Rusisë Kosova i ka bërë embargo kaherë, Kosova nuk furnizohet nga Rusia pra nuk ndikon kjo në çmimet në tregun e Kosovës. Ne e përshëndesim vendimin e Bashkimit Evropian”, ka thënë tutje Berjani.

Në anën tjetër, sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), një ton naftë dje është eksportuar për 113 dollarë, ndërsa vetëm 10 ditë më herët, më 25 prill 2022 një tonë naftë është eksportuar për 102 dollarë.