Rritet për 1.2% inflacioni në muajin që shkoi

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.4 për qind në muajin mars 2021 në raport me një muaj më parë ndërsa në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar, është më i lartë në një mesatare prej 1.2 për qind.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra 2.8 për qind, pemë 3.8 për qind, pije alkoolike 1.6 për qind këpucë 3.1 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 4.7 për qind me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK.

Perimet patën rënie të çmimeve në muajin mars

“Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i COICOP-it, perime (-1.5%), me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.1 për qind) në IHÇK ”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars 2021, me muajin e njëjtë të vitit 2020 ishte 1.2 për qind.

Sipas ASK-së, është shpjeguar ngritje e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra 2.5 për qind , qumësht, djathë dhe vezë 2.5 për qind, vajra dhe yndyrat 10.3 për qind, ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemë dhe perime 1.3 për qind, pije alkoolike 2.5 për qind, duhan 4.6 për qind, furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin 1.5 për qind, gaz 3.2 për qind,  lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj., 3.9, për qind pajisje shtëpiake 3.4 për qind, produkte farmaceutike 3.5 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 3.6 për qind, shërbime për transport 4.2 për qind “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbimet telefonike dhe të telefaksit 20.3 për qind, pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave 2.7 për qind, shërbime hoteliere 1.0 për qind, kujdes personal 1.0 për qind dhe shërbime financiare 4.2 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.0 për qind në IHÇK.

Rënie të çmimeve pati më shumë në pemë dhe energji elektrike

“Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-12.9%); perime (-5.7%); energjia elektrike (-10.8%) – zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, neni 15, për periudhën janar – maj 2021 – me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.8 për qind) në IHÇK”.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin mars 2021, viti bazë 2015=100”.